Më shumë investime polake në infrastrukturë, transport, turizëm e sektorë të tjerë, ka kërkuar gjatë takimit me homologun Andrzej Duda në Varshavë.

Biseda mes Presidentëve Begaj dhe Duda u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin përballë zhvillimeve rajonale dhe sfidave globale.

“Shqipëria mbetet plotësisht e interesuar të presë më tepër investime direkte me origjinë polake në fushën e infrastrukturës, transportit, bujqësisë, turizmit, inovacionit, zhvillimit të burimeve natyrore, energjisë së rinovueshme, sistemit hekurudhor, etj. Shqipëria ka një ekonomi dinamike dhe me rritje të shpejtë, monedhë të qëndrueshme dhe inflacion nën kontroll, si dhe  një sektor bankar të shëndetshëm.”

Kreu i Shtetit i shprehu homologut të tij polak mirënjohje për mbështetjen e dhënë ndaj procesit integrues të Shqipërisë në BE, por edhe për stabilitetin në rajon.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me sfida të vazhdueshme, të cilat, siç folëm gjatë takimit, asnjëherë dhe në asnjë rast nuk duhet të ndikojnë apo komprometojnë të ardhmen Euroatlantike të rajonit. Në këtë drejtim, roli dhe angazhimi i Polonisë mike mbetet i rëndësishëm, duke kontribuar direkt për paqen dhe stabilitetin rajonal e më gjerë. Lufta në Ukrainë, ndikimi i aktorëve të tretë apo retorikat nacionaliste e separatiste që vijnë nga rajoni duhet të përballen me një bashkëpunim të ngushtë, ku e ardhmja evropiane do të jetë udhërrëfyesi për të ardhmen tonë të përbashkët në paqe, siguri dhe prosperitet.”

Begaj vlerësoi se me rëndësi strategjike mbetet vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën, si dhe anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe NATO-n.

Gjatë qëndrimit në Varshavë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Begaj u takua edhe me drejtues të dy dhomave të ligjvënësve polakë.

Klan News