Presidenti i Polonisë tha se Europa Perëndimore nuk duhet të marrë më gaz nga Rusia edhe nëse arrihet një paqe me Ukrainën. Andrzej Duda tha për BBC se tubacionet Nord Stream të gazit, të cilat nuk janë përdorur që prej vitit 2022, “duhet të çmontohen”.

Kjo do të thotë, sipas tij, që Gjermania të mos tundohet për rikthimin e furnizimeve ruse për të nxitur ekonominë e vet.

“Shpresoj vetëm që liderët europianë të mësojnë nga leksionet që dha agresioni rus në Ukrainë dhe të shtyjnë përpara përmes një vendimi që nuk do të rikthejë kurrë gazin përmes këtij tubacioni”, tha ai.

Presidenti polak insiston se sanksionet ekonomike kundër Rusisë po funksionojnë dhe vendet europiane duhet t’i rezistojnë presionit nga kompanitë për të rivendosur lidhjet e biznesit.

Tubacionet Nord Stram u ndërtuan nga gjigandi rus i gazit, Gazprom dhe drejtohen nga Rusia dhe Gjermania veriore. Nord Stream 1 u mbyll në 2022-shin, ndërsa Nord Stream 2 nuk u hap kurrë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Të dyja u dëmtuan nga shpërthimet në vitin 2022.

Çmimet e gazit u rritën ne Europë pas mbylljes, dhe muajt e fundit politikanët e ekstremit të djathtë në Gjermani, më saktësisht partisë AfD kanë sugjeruar se tubacionet duhet të rinisin operacionet. Kujtojmë se Gjermania do të mbajë zgjedhje në fund të Shkurtit.

“Besoj se tubacionet Nord Stream duhet të çmontohen. Ky tubacion shkaktoi një kërcënim shumë të madh për Ukrainën, Poloninë, Sllovakinë, por gjithashtu për vende të tjera të Europës Qendrore. Është kërcënim nga pikëpamja energjetike, nga pikëpamja ushtarake, por gjithashtu është një kërcënim i madh ekonomik sepse do të thotë një dominim të Rusisë mbi Europën në sensin ekonomik”, tha Duda.

Sa i përket marrëveshjes mes Ukrainës dhe Rusisë, tashmë që Presidenti Donald Trump ka marrë detyrën, Duda insiston se bisedimet e paqes duhet të zhvillohen me pjesëmarrjen e Kievit zyrtar./tvklan.al