” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan.
Emisioni “Pro Business” ka sot në fokus sfidat e SME në drejtim të kreditimit me fokus bujqësinë.
Përfaqësues nga Banka e Shqipërisë do të sjellin një analizë të shkaqeve që e kanë bërë bujqësinë më
pak të kredituar në krahasim me bizneset e tjera dhe detajet e linjës së re të financimit prej 250 mln
euro. Ekspertë të Bujqësisë ndalen tek problemet e tjera që kërkojnë zgjidhje ndërsa nga Ministria e
Bujqësisë do të sillen detaje të strategjisë për Zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Analiza e BSH për kreditimin e SME me fokus bujqësinë
Emisioni “Pro Business” në Tv Klan kishte në fokus në pjesën e parë këtë të shtunë situatën me financimin e SME-ve me fokus bujqësinë. Në një intervistë në studio Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare pranë Bankës së Shqipërisë ka sjellë një analizë të kreditimit për këtë kategori.
“Analizat tona të kohëve të fundit kanë evidentuar një fakt të rëndësishëm që megjithëse kemi një rritje relativisht të shpejtë, të qëndrueshme e solide të kredisë në përgjithësi për ekonominë shqiptare dhe për bizneset në veçanti, fakti është që kreditimi i sektorit të vogël e të mesëm ecën me ritme mjaft më të ngadalta në krahasim me kreditimin sektorit të biznesit të madh apo korporatave”.
Më shqetësuese situata duket për kreditimin e bujqësisë.
“Pjesa e kredisë bankare që shkon për sektorin bujqësor nuk e kalon nivelin 2% të totalit të kredisë bankare për bizneset. Gjendja e fundit në vitin 2024, pra duket që ka një ngërç më të madh dhe Banka e Shqipërisë ka theksuar që megjithëse programi jonë ka një akses të lirë për të gjithë bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë, ne u kemi bërë thirrje vazhdimisht bankave tregtare që të orientohen me prioritet drejt kreditimit të sektorit bujqësor sepse dhe ky ka potenciale mjaft të mëdha për nxitjen e rritjes ekonomike dhe zgjerimin e bazës së saj në të gjithë sektorët ekonomisë”.
Por çfarë e bën të vështirë kreditimin e këtij sektori?
“Kolaterali është i fundit në gamën e treguesve të cilët banka përdor për të lëvruar një kredi. Në radhë të parë ajo që kërkon banka është një plan biznesi solid, që do të thotë që këto para të cilat banka i jep hua, borxh ose kredi duhet të ketë një shkallë të pranueshme garancie që do të kthehen. Në rast se nuk kthehen pastaj banka është e detyruar të marrë kolateralin për të mbrojtur kursimet e qytetarëve. Megjithatë duke u nisur nga problemet e zhvillimit të sektorit bujqësor që është fragmentarizmi i tokës, lidhja e pakët që ka ky sektor me konsumatorin final qoftë i brendshëm, qoftë i jashtëm dhe këtu kam parasysh gjithë segmentet e tregtisë, të magazinimit, të përpunimit të cilat nuk janë të zhvilluara në nivelin e duhur dhe krijojnë një ngërç në kreditimin e sektorit bujqësor.”
Në studion e “Pro Business” ai dha detaje lidhur me linjën e re të financimit prej 250 milion Euro për SME-të me fokus bujqësinë.
“Ne kemi këtë fond që shkon në 25 miliardë Lekë të cilin ua vëmë në dispozicion bankave tregtare që mund ta përdorin këtë fond kundrejt detyrimit dhe angazhimit të tyre për ta transmetuar, për ta përcjellë në kredi për SME-të, në të gjithë segmentet e ekonomisë dhe më pas te sektori bujqësor. Me një normë interesi e cila është ndjeshëm më e ulët në raport me normat e interesit që prevalojnë aktualisht. Konkretisht ne kemi vënë një limit prej 3.5% për normën e interesit të përgjithshëm të nivelit të kredive për SME-të.”
Nga kreditimi tek strukturat agrare, ja cilat janë sfidat e bujqësisë
Në pjesën e dytë të emisionit “Pro Business” në Tv Klan në fokus ishin problemet me të cilat ndeshet në tërësi sektori i bujqësisë, jo vetëm kreditimi por edhe strukturat agrare, fuqia punëtore e deri tek sfida e ujit në bujqësi.
I ftuar në studio me gazetaren Oljana Maloku ishte Fatmir Guri, ekspert bujqësie njëherësh pedagog pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. Guri vlerëson nismën për linjën e re të kreditimit.
“Në të vërtetë kjo nismë e cila është e kombinuar midis Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë shqiptare mundohet që të ndikojë në atë që ka qenë një prej pikave më të dobëta të kreditimit të bujqësisë. Që ka qenë me të vërtetë në nivele shumë të ulëta. Mjafton të themi që për vitin 2023 niveli i kreditimit nuk i kalonte 2.5% të të gjithë portofolit të kredisë që jepnin bankat e nivelit të dytë. Pika e dobët që është norma e interesit, të cilat kanë qenë shumë të larta për një sektor i cili nuk ka nivelin e produktivitetit për njësinë e kapitalit që kanë sektorët e tjerë. Prandaj ka nevojë për t’u mbështetur në normat e interesit”, u shpreh Guri.
Por cilat janë problematikat që rendit?
“Ne kemi disa pika të dobëta të cilat i tërheqim pas prej 30 vitesh dhe ajo që për mua është shumë e rëndësishme janë strukturat agrare. Ne kemi struktura agrare të cilat janë thellësisht të copëzuar, të cilat na prodhojnë një produkt të copëzuar dhe pastaj na pamundësojnë neve për të qenë konkurrues në tregje kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky problem i strukturave tanimë mund të zgjidhet vetëm duke krijuar një frymë të bashkëpunimit mes fermerëve e cila do të bëjë të mundur që ne mos të bashkojmë strukturat, por të kemi një produkt i cili të jetë pak a shumë uniformë në nivelin final për konsumatorin. Ne kemi një sfidë përpara dhe unë besoj se kjo sfidë ose ajo kryesorja që ne do të kemi në të ardhmen është sfida e ujit në bujqësi, por jo vetëm. Sa më shpejt që ne të fillojmë dhe të përpiqemi të jemi më ekonomistë me përdorimin e burimeve ujore, aq më shumë dhe aq më përpara drejt përballimit të kësaj sfide do kemi arritur”, shtoi eksperti.
Ai pati dhe një mesazh edhe për orientimin e fermerëve.
“Të prodhojmë më shumë për njësinë e tokës dhe të prodhojmë produkte me vlerë ose me vlerë më të lartë të shtuar. Për mua ky do të jetë trendi me të cilin duhet të ecë bujqësia në 5-10 vitet e ardhshme. Unë shoh që përshembull në orientimet që bën Ministria e Bujqësisë, politikat e saj mbështetëse ky orientim është i shprehur. Po ju marr një shembull të thjeshtë. Ne po të themi për prodhimet e serrave, automatikisht na shkon mendja në 3 prodhimet kryesore, domate, kastravec, bostan ose shalqi. Por shumë pak e dinë që një prej prodhimeve, i cili ka avantazhe dhe vlerë të lartë të shtuar të serrave shqiptare, është rrushi në serra. Rrushi i tavolinës i cili del përpara gjithë produkteve dhe prodhuesve evropianë”, përfundoi Fatmir Guri.
1 miliard Euro eksport deri në 2030, sfidat për të arritur objektivin
Deri në vitin 2030, synimi i qeverisë është që eksportet të arrijnë në vlerën e 1 miliard Eurove. Ky objektiv u bë i ditur pak javë më parë nga kryeministri teksa u prezantuan skemat e financimit në bujqësi.
Megjithatë për t’u arritur ky objektiv duhet të plotësohen disa kritere dhe standarde në përputhje me kërkesat e tregjeve të huaja. Këto renditen në emisionin “Pro Business” në Tv Klan nga Irfan Tarelli, drejtor i politikave pranë Ministrisë së Bujqësisë.
“Objektivi prej 1 miliardë dollarë eksporte në harkun kohor të 2030 është një objektiv që çliron potencialet ende të pashfrytëzuara të sektorit bujqësor apo të sektorit të peshkimit në vend. Natyrisht ai është një objektiv që mund të arrihet. Kërkon së pari më tepër investime në sektor, por kërkon nga ana tjetër edhe respektimin e standardeve në përputhje me kërkesat e tregjeve”, tha Irfan Tarelli.
Disa nga produktet që zënë peshën kryesore të eksporteve janë kryesisht grupi i fruta-perimeve, bimët medicinale, por dhe mjaft produkte të përpunuara.
“Aktualisht eksportet tona përbëhen kryesisht nga perimet e freskëta, të cilat vijnë më së shumti nga serrat, por me potencial të konsiderueshëm janë edhe perimet e fushës gjatë gjithë vitit. Vendi jonë në krahasim me vendet fqinje apo disa vende të tjera ka avantazhet e hershme apo edhe të prodhimit të vonë cili në ambiente të mbrojtura gjen kushtet e përshtatshme dhe me kosto më të ulët sesa në situata të tjera. Kategoria e frutave. Në Shqipëri për shkak të kushteve klimatike prodhimi i frutave është në arealin e vet dhe me një llojshmëri të madhe. Vitet e fundit ulliri përfaqëson një sektor me potencial zhvillimi relativisht të lartë. Ne sot kemi mbi 11 milionë rrënjë ulliri që prodhojnë. Mundësia për shtimin e sipërfaqeve të kultivuara, natyrshëm edhe të prodhimit dhe të vajit të tij është përsëri një faktor i rëndësishëm. Përveç fruta-perimeve që unë përmenda hyjnë edhe agrumet, por dhe rrushi i tavolinës, një kategori tjetër e rëndësishme janë edhe bimët medicinale dhe aromatike, flas për ato të kultivuara, por edhe ato që mblidhen në florën e egër”, shtoi më tej ai.
Prodhimet e vendit tonë eksportohen kryesisht drejt vendeve të Rajonit, kjo për shkak të afërsisë gjeografike dhe kostove jo të larta, por edhe në shumë vende të Bashkimit Europian e deri në SHBA e Kanada.
“Tashmë ne eksportojmë në një numër shumë të madh vendesh, përfshirë rajonin kryesisht për produktet masive, produktet e freskëta, të cilat transportohen brenda ditës dhe kjo përbën dhe një avantazh sepse ul kostot e transportit dhe përfundimisht çmimin e shitjes në këto tregje. Por, gjithashtu eksportojmë të tilla produkte edhe në vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa produktet e përpunuara kanë luksin le të themi që të transportohen në tregjet më të largëta sepse sasia e tyre është më e vogël, por kanë vlerë më të madhe. Përshembull sherbela eksportohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ne aty mbajmë dhe vendin e parë të këtij eksporti edhe në shkallë globale”, përfundoi Irfan Tarelli.