Gara për “Këpucën e Artë” të Superligës është gjithnjë e më fortë. Dy futbollistë si Bekim Balaj dhe Baton Zabërgja kryesojnë me 8 gola secili pas 17 ndeshjeve të zhvilluara.
Pas tyre gjendet Itodo gjithashtu nga Dinamo për ta bërë akoma dhe më intriguese këtë çmim individual. Garë që e bëri më të bukur fakti që Balaj nuk shënon prej 5 ndeshjeve. Pas një formë të jashtëzakonshme golash, sulmuesi është fikur në 450 minutat e fundit, duke mos arritur të zhbllokohet.
Performancë që është reflektuar edhe në rezultatet e Vllaznisë. Në këto 5 sfida të fundit, shkodranët kanë marrë 7 pikë, pra 2 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. Rezultate që tregojnë varësinë e skuadrës së Thomas Brdariç nga 33-vjeçari.
Për herë të fundit, ka shënuar në fitoren 2-0 ndaj Skënderbeut në javën e 12-të të kampionatit. Ecuri që Balaj e përjeton për herë të parë në karrierë, pasi më e gjata ishte 3 ndeshje radhazi në sezonin e shkuar. “Ngërç” që synon ta kalojë ndaj Lacit në sfidën e radhës.
Në fazën e parë, Balaj nuk ishte i gatshëm kundër kurbinasve, teksa këtë herë do tentojë për të thelluar dhe u shkëputur në garën për “Këpucën e Artë” të Superligës.
Klan News