Ky është uji që rrjedh në çezmat e fshatrave Fremë dhe Orizaj në komunën Otllakë të Beratit. Siç duket edhe nga pamjet ai është i ndotur, me ngjyrë të verdhë dhe me papastërti të shumta në përbërje.

Nga analizat e Institutit të Higjienës uji ka rezultuar i përzier me ujërat e zeza. Banorët shprehen se që prej 2 muajsh detyrohen ta blejnë ujin e pijshëm nga frika e përhapjes së ndonjë epidemie.

Banorja 1: “Ka ngjyrën si të verdhë si të mykur. Edhe kur gatuajmë me të blerë gatuajmë.”

Banorja 2: “Dhe për të larë jemi munduar nëpër qendrat e burimeve.”

Instituti i Higjienës e ka cilësuar ujin me ndotje të lartë dhe ka ndaluar rreptësishtë përdorimin e tij.

Hamza Hatia: “Kemi bërë disa analiza me kontakt të vazhdueshëm përditë dhe përgjigjet që kemi marrë nga drejtoria e Higjienës, uji është ujë komunal. Kemi kontaktuar me inxhinierin e ujësjellësit dhe ata na kanë dhënë një përgjigje që nga dita në ditë uji do të rregullohet. Por deri më sot nga dita që po flasim uji është prapë i pisët.”

Komuna Otllakë furnizohet me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i Uznovës. Rrjet i të cilëve sipas specialistëve është tërësisht i amortizuar. Edhe pse kanë filluar ndërhyrjet punonjësit e ujësjellësit nuk kanë gjetur shkaqet e ndotjes së ujit, me të cilin furnizohen edhe dy lagje në qytetin e Beratit./tvklan.al