Politikani dhe shkrimtari Ben Blushi ka prezantuar në Berat romanin e tij “Të jetosh në ishull”. Duke e konsideruar këtë qytet si pjesë të rrëfimit dhe personazheve të përfshirë në të Blushi ka theksuar se pikëpyetjet e ngritura mbi identitetin e shqiptarëve janë tashmë pjesë e një debati që ka tejkaluar kontekstin historik dhe letrar të romanit.
Ben Blushi: “U kam kërkuar të gjithë atyre që kanë ardhur në këto takime ta konsiderojë si një akt i thjesht letrar, i cili tenton të japi disa përgjigje personale për çfarë ka qenë Shqipëria e kohës kur libri është shkruajtur. Por nisur nga debatet e ditëve të fundit, më rezulton që shumë gjëra për fat të keq nuk kanë ndryshuar në 3 apo 400 vjet në Shqipëri.”
Romani i Ben Blushit “Të jetosh në ishull” është komentuar nga studiues të letërsisë si një risi jo vetëm përsa i përket mënyrës së rrëfimit, por edhe temës që trajton. Konvertimi i shqiptarëve nga të krishterë në mysliman sipas Blushit është një realitet që ka ndryshuar rrjedhën historike të shqiptarëve dhe kjo duhet të njihet edhe nga brezat. /tvklan.al