Ish-kryeministri: Në funksion të përmbushjes së detyrës
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi kërkojnë shtyrjen e seancës së marrjes në pyetje nga Prokuroria e Posaçme. Kërkesa është paraqitur në SPAK bërë nga avokatët e tyre.
Në të, ata argumentojnë se si mbrojtës të Berishës dhe Malltezit për shkaqe objektive pune dhe familjare dhe duke konsideruar se pjesëmarrja është e domosdoshme ata e kanë të pamundur të jenë pjesë e këtyre seancave këtë javë.
Ndaj ata i kërkojnë SPAK shtyrjen e marrjes në pyetje të dy klientëve për javën e ardhshme. Kërkesa e avokatëve erdhi pasi një ditë më parë SPAK përmes dy shkresave zyrtare ftoi Berishën që të japë dëshminë e tij në prokurori ditën e enjte, ndërsa Malltezin ditën e mërkurë.
Ndërkohë që po nëpërmjet avokatëve të tij, ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme me një kërkesë tjetër për t’i dhënë leje që të paraqitet në Kuvend dhe të ushtrojë detyrën si deputet.
SPAK pritet të administrojë këtë kërkesë, e cila mbetet në dorën e dy prokurorëve të dosjes, për ta vlerësuar dhe për të vendosur nëse do ta lejojnë kreun e opozitës të shoqërohet për në Kuvend gjatë punimeve të tij.
Berisha po qëndron në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” që prej 30 Dhjetorit në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme, që rëndoi masën fillestare të caktuar ndaj tij me argumentin se ai nuk iu bind vendimit të parë për tu paraqitur në policinë gjyqësore.
Tv Klan