Avokatët e ish-kryeministrit: Kemi impenjime të tjera
SPAK ka njoftuar ish-kryeministrin Sali Berisha për t’u marrë në pyetje ditën e enjte (18 Janar) për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se avokatët mbrojtës kanë kërkuar që të caktohet një datë tjetër për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi kanë deklaruar se kanë impenjime të tjera në atë ditë.
Referuar të njëjtave burime, SPAK gjithashtu ka njoftuar dhëndrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin për ta marrë në pyetje ditën e nesërme (17 Janar) në cilësinë e personit nën hetim.
Ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe po hetohen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Sipas organit të akuzës, ish-Kryeministri Berisha ka konsumuar akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim.
Vepër kjo e ngritur nga SPAK pas dyshimeve se Berisha kur mbante detyrën e kryeministrit ka kryer veprime duke miratuar ligje apo akte nënligjore me qëllim që në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, të paraqiteshin 5 familjet e njohura pronare, ku fitues ndër të tjerë ishte Jamarbër Malltezi.
Gjithashtu prokuroria thotë se Berisha në cilësinë e kryeministrit ka vënë në dispozicion të Malltezit, struktura të ndryshme të administratës shtetërore me qëllim realizimin e procesit të privatizimit.
Të gjitha këto procedura të ndjekura nga Malltezi, tashmë i vënë nën akuzë për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, sipas SPAK janë kryer me qëllim privatizimin e ish-kompleksit, e më pas ndërrimin e destinacionit të tij për përfitim material, gjë që ka çuar në ndërtimin e një kompleksi pallatesh.
Për ndërtimin e këtij të fundit, SPAK thotë se ka përfituar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Përfitimet kanë qenë monetare, dhe sipas prokurorisë marrja e tyre është bërë pasi Malltezi ka qenë nën cilësinë e investitorit tek shoqëria “Homeplan shpk”, ku SPAK thotë se dhëndri i Berishës nuk kishte investuar asgjë.
Fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, përllogariten në total në rreth 5.4 milionë Euro. Por për të vënë në jetë këtë skemë, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se Jamarbër Malltezi ka bashkëpunuar me ndërtuesin e bllokut të pallateve në ish-kompleksin sportiv, Fatmir Bektashin. Ndaj këtij të fundit, SPAK ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
AKUZAT:
Ish-Kryeministri, Sali Berisha dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Jamarbër Malltezi dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Fatmir Bektashi dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
/tvklan.al