“Mos guxo të organizosh protestë tjetër, se opozita do të të përgjigjet me një kundërprotestë që ti s’mund ta imagjinosh”. Ky ishte paralajmërimi i kryetarit të PD, Sali Berisha ndaj Kryeministrit Edi Rama.
Në konferencën për mediat, Berisha thotë se këto protesta që mbështesin kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliaj, synojnë destabilizimin e vendit.
“I them Edi Ramës, mos guxo. Mbaje mend këtë. Po thirre protestë tjetër, do thirret protesta përfundimtare për ty. Po vazhdove, popullin do e kesh në Surrell, mos destabilizo vendin. Do përgjigjesh personalisht për të gjitha”, tha Berisha.
Berisha thotë se mungesa e Policisë për të mbrojtur SPAK nga mbështetësit e Veliajt vuri në rrezik jetët e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe se për këtë akuzon kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit.
“Do të dërgoj për ndjekje penale, Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, drejtorin e përgjithshëm të policisë, Matriksin dhe vetë Edi Ramën për aktin që ka ndodhur kur segmentet e shtetit ngrihen me dhunë kundër institucioneve të tjera”, tha Sali Berisha.
Edhe pse vetë ka zhvilluar një seri protestash para SPAK, kryedemokrati thotë se ato kanë qenë konferenca për median para ambienteve të SPAK dhe jo tubime.
“Asnjë protestë nuk është thirr nga opozita. Ato kanë qenë të gjitha, kanë qenë konferenca shtypi dhe do jenë konferenca shtypi. Siç janë kundërshtarë, gazetarë, janë kureshtarë dhe qytetarë. Por absolutisht për asnjë lloj forme presioni. Nuk është kryer as akti më i vogël”, tha Berisha.
Thotë se arrestimin e Veliajt e përgatiti Kryeministri Edi Rama.
“Edi Rama e përgatiti arrestimin, është Nesti Angoni, Lubi Balluku me Edi Ramën. Nuk i serviri opozita ato, ato që paraqiti qeveria, ato e fundosën Erion Veliajn”, tha Berisha.
Sipas Berishës në të gjitha aferat që janë kryer nga eksponentë të qeverisë, është i përfshirë Kryeministri Rama, ndërsa paralajmëroi se do të publikoj prova dhe fakte që vërtetojnë korrupsionin dhe abuzimet me taksat e qytetarëve.
Klan News