Ka një reagim nga ana e kryeministrit të vendit Edi Rama lidhur me masat e sigurisë të lëshuara ndaj stafit të Universitetit Bujqësor. Në postimin e tij në “X”, ai shkruan se nesër në orën 09:00 grupi parlamentar i PS-së do dëgjojë me kërkesë të tij, Rektorin e këtij Universiteti Fatbardh Sallaku.

Rama nënvizon se këto masa sigurie janë lëshuar PA GJYQ, për procedura të disa viteve më parë.

“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë 2030”, shkruan kreu i qeverisë.

/tvklan.al