Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Rreth 500 gra intelektuale nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në një takim në sallën kryesore të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Ato ishin përfaqësuese të organizatave të grave, të lidhjes së gruas demokratike dhe forumit të gruas republikane. Ideja e organizimit të këtij takimi, ishte për të përcjellë mesazhin së bashku për një fillim të ri.

Diskutantët që e morën fjalën, thanë se roli i gruas duhet të jetë më i madh si në jetën familjare, ashtu dhe politike. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe lideri demokrat zoti Berisha dhe lideri republikan zoti Mediu. Si gjithmonë edhe kësaj radhe nuk ka munguar fjala përshëndetëse e kryetarit të PD Sali Berisha.

Sali Berisha, Kryetari i PD:- “Këtu është një apel është një ftesë, për të gjitha gratë, të bashkohemi. Në 2001, kam bindjen më të thellë se u takon ju dhe para së gjithash, ju do të jeni ato që do të formësoni, fillimin e ri të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që do t’i kthejë paqen e brendshme, shpresën dhe besimin tek e ardhmja”./tvklan.al