Ernest Muçi është shndërruar në idhullin e tifozëve të Beshiktash. Goli ndaj Ankaraguxhu ishte i katërti për të në pak muaj në Stamboll, duke i kualifikuar për në finalen e madhe të Kupës së Turqisë me shifrat e përgjithshme 1-0. Sulmuesi 23-vjeçar i kombëtares shqiptare ishte fantastik në fushën e lojës, për të qënë kërcënimi kryesor për portën kundërshtare.
Atëherë kur gjithçka po mendohej se po shkonte drejt shtesave, pasi ndeshja e parë kishte përfunduar në barazim pa gola, Muçi gjeti rrugën e rrjetës. Ish-lojtari i Tiranës përfitoi nga pasiguria e portierit mik dhe me të djathtën kaloi në epërsi Beshiktash. Gol me vlerë finaleje duke sjellë gëzim në radhët e shqiponjave.
“Jemi shumë të lumtur që fituam. Ishte një ndeshje e rëndësishme. E dinim që tifozët tanë e donin shumë, e bëmë për ta. Treguam karakter. Kam shënuar një gol të rëndësishëm. Jemi të lumtur për të qenë në finale. Jam përshtatur mirë. Të gjithë janë miqësorë. Jam i lumtur që jam në këtë ekip. Jemi një ekip i mirë. Do të Ngritemi në një nivel më të lartë”.
Ky ishte goli i parë për Muçin në Kupën e Turqisë, teksa performanca në fushën e lojës u vlerësua me notën 7.2 nga ekspertët. Kjo është hera e 17-të që Beshiktash shkon në finalen e kompeticionit, të cilin e ka fituar në 10 raste.
Klan News