Përballja me Anglinë është ende larg, por tek Kombëtarja Shqiptare kanë ndezur motorrët. Futbollistët kuqezi po përjetojnë një formë të jashtëzakonshme në fushën e lojës, duke shtuar alternativat për teknikun Sylvinho.
Braziliani ka marrë të tjera shënime në takimet e kësaj fundjave, me lojtarët shqiptarë që dhuruan kontribut në takimet e skuadrave të tyre respektive. Ai që ka lënë gjurmë është padyshim, Arbër Hoxha.
Anësori u hodh nga stoli për 31 minuta, kohë e mjaftueshme për të shënuar dhe asistuar në fitoren e Dinamos së Zagrebit.
Performancë e mirë nga ana e 26-vjeçarit, që u vlerësua me notën 8.2 për t’u shpallur më i miri i takimit dhe u përfshirë në formacionin ideal të javës së 21-të të Superligës kroate.
Asist dhuroi kapiteni Berat Gjimshiti. Mbrojtësi dhuroi pasimin tek goli i dytë i Atalantës në fitoren 5-0 ndaj Veronës. Loja e Gjimshiti ishte në nivelin e duhur për Bergamaskët, të cilët koleksionuan 3 pikëshin e radhës.
Edhe futbollistët e tjerë të Kombëtares patën minuta në fushë, teksa si titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan Thomas Strakosha, Enea Mihaj, Marash Kumbulla, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami, Ernest Muçi dhe Rey Manaj.
Klan News