Për herë të parë pas kritikave të vazhdueshme për ofensivën në Rafah, presidenti i SHBA Joe Biden mbrojti fuqishëm Izraelin duke thënë se forcat izraelite nuk po kryejnë gjenocid në fushatën e tyre ushtarake kundër militantëve të Hamasit në Gaza.
Në një event për Muajin e Trashëgimisë Hebraike në Shtëpinë e Bardhë, Biden theksoi besimin e tij se Izraeli ishte viktima nga sulmi i 7 Tetorit. Mes të tjerash ai refuzoi gjithashtu kërkesën e prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për lëshimin e urdhër-arrestit për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe shefin e tij të mbrojtjes për krime të dyshuara lufte.
“Më lejoni të jem i qartë, ne refuzojmë kërkesën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhër-arrestet kundër udhëheqësve izraelitë. Çfarëdo që këto urdhër-arreste mund të nënkuptojnë, nuk ka asnjë ekuivalencë midis Izraelit dhe Hamasit dhe është e qartë se Izraeli dëshiron të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar mbrojtjen civile. Ajo që po ndodh nuk është gjenocid dhe ne do të jemi gjithmonë me Izraelin.”
Gjithashtu edhe Udhëheqësit demokratë dhe republikanë të Senatit të SHBA dënuan Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) për lëshimin e urdhër-arresteve për udhëheqësit izraelitë duke e quajtur atë “të turpshme”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dënuar kërkesën e prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për kërkimin e urdhrave të arrestit për të së bashku me liderët e Hamasit për krimet e dyshuara të luftës në konfliktin e Gazës. Netanyahu tha se Izraeli demokratik ishte krahasuar me ata që ai i quajti vrasës në masë.
Një trup gjykues do të përcaktojë nëse provat mbështesin urdhrat e arrestit. Por gjykata nuk ka mjete për të zbatuar urdhëra të tillë dhe hetimi i saj për luftën në Gaza është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë kanë hedhur poshtë akuzat për krime lufte dhe përfaqësuesit e të dyja palëve kritikuan vendimin e prokurorit Karim Khan.
OKB ka bërë të ditur se Gaza është bërë ferr në tokë për shkak të mungesës së ndihmës humanitare të shkaktuar nga mbyllja e pikave kufitare nga ushtria izraelite. Izraeli vazhdon të bllokojë shumicën e ndihmave humanitare të ofruara nga Britania e Madhe nga hyrja në Gaza. 40 për qind e popullsisë së Gazës, ose më shumë se 900,000 njerëz, janë zhvendosur me forcë në dy javët e fundit.
Klan News