Presidenti Donald Trump përsëriti deklaratën për planin e tij që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Gazës dhe për zhvendosjen e përhershme të banorëve të saj, ndërkohë që u takua me Mbretin e Jordanisë Abdullah mes kundërshtimeve të gjëra ndaj planit të tij nga aleatët arabë të Uashingtonit, përfshirë Jordaninë.
Pak pasi mbreti dhe djali i tij hynë në Shtëpinë e Bardhë, gazetarët u drejtuan tek Zyra Ovale ku Presidenti Trump sinjalizoi se nuk do të tërhiqet nga plani i tij që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Gazës, për zhvendosjen e banorëve të saj të tronditur dhe për të transformuar territorin e shkatërruar nga lufta.
“Do ta marrim. Do ta mbajmë dhe do ta ruajmë. Do ta marrim eventualisht, do të krijojmë shumë vende pune për banorët e Lindjes së Mesme”, tha Trump duke iu referuar Gazës. Ai shtoi se plani i tij do “të sjellë paqe” në rajon.
Presidenti Trump tha se ai do të konsiderojë nëse do t’ia bllokojë ndihmën Jordanisë nëse ky shtet refuzon të pranojë strehojë palestinezët.
Mbreti Abdullah në të kaluarën ka thënë se ai kundërshton çfarëdo hapi për aneksimin e territorit dhe zhvendosjen e palestinezëve.
I pyetur të martën nëse do të pranonte palestinezët, ai tha se ai do të bëjë më të mirën për vendin e tij dhe tha se shtetet arabe do të vijnë në Uashington me një kundër-propozim.
“Çështja është se si ta bëjmë këtë të funksionojë në një mënyrë të dobishme për të gjithë”, tha ai, pa thënë konkretisht nëse e mbështet apo e kundërshton planin e Trump.
Ai pritej t’i thoshte zotit Trump se një veprim i tillë do të nxiste radikalizimin, do të zgjerojë kaosin në rajon, do të rrezikojë paqen me Izraelin dhe do të kërcënojë mbijetesën e shtetit të tij.
Tre nga katër amerikanë, 74% e tyre, sipas një ankete të agjencisë Reuters dhe Ipsos të bërë më 7-9 shkurt, thonë se kundërshtojnë idenë që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin mbi Gazën dhe të zhvendosin palestinezët që jetojnë atje. Anketa tregon që republikanët janë të ndarë rreth kësaj çështjeje, me 55 për qind që kundërshtojnë atë dhe 43 për qind në përkrahje të tij.
Propozimi i Presidentit Trump ka sjellë një dimension të ri në një dinamikë të ndjeshme rajonale, përfshirë armëpushimin e brishtë ndërmjet Izraelit dhe grupit militant palestinez të Hamasit.
Hamasi tha të hënën se do të ndalojë lirimin e pengjeve izraelite nga Gaza deri në një njoftim të radhës, duke akuzuar Izraelin se po shkel marrëveshjen për t’u dhënë fund sulmeve në Gazë. Më pas, Presidenti Trump propozoi anulimin e armëpushimit nëse Hamasi nuk liron pengjet e mbetura, të cilat i mori peng më 7 tetor, të vitit 2023, deri në ditën e shtunë.
Presidenti Trump tha të martën se “situata do të jetë e paparashikueshme” nëse Hamasi nuk e respekton këtë afat kohor, duke shtuar se nuk mendon që grupi militant palestinez do ta bëjë një gjë të tillë.
Jordania mbështetet tek ndihmat amerikane
Jordania, shtet i kufizuar me Arabinë Saudite, Sirinë, Izraelin dhe Bregun e pushtuar Perëndimor me 11 milionë banorë, tashmë strehon mbi 2 milionë refugjatë palestinezë, statusi dhe numri i të cilëve është burim shqetësimi për drejtuesit e vendit.
Ammani, i cili varet shumë nga ndihmat ushtarake dhe ekonomike të Uashingtonit, po vuan gjithashtu nga bllokada 90 ditëshe e ndihmave e vendosur nga Presidenti Trump. Bllokada është hequr për Izraelin dhe Egjiptin, por ndihma prej 1.45 miliardë dollarë që Jordania merr çdo vit nga SHBA-të mbetet e ngrirë deri në rishqyrtimin e ndihmave për shtetet tjera nga administrata e Presidentit Trump.
Mbreti Abdullah “është në një pozitë shumë, shumë delikate, në të cilën SHBA-të kanë shumë peshë”, thotë analisti Ghaith Al-Omari nga Instituti për Politikat e Lindjes së Afërt në Uashington.
Por ndihmat amerikane për Ammanin “nuk janë bamirësi”, thotë Al-Omari, i cili shpjegoi se Jordania është bazë e trupave amerikane dhe mjeteve të tyre ajrore, është një partner i rëndësishëm për shkëmbimin e informacionit të zbulimit për Uashingtonin dhe marrëveshja për paqen e Jordanisë dhe Izraelit, e nënshkruar në vitin 1994, është kyçe për stabilitetin rajonal.
“Mbreti shpreson që këto çështje do të baraspeshojnë peshën që ka Presidenti”, thotë Al-Omari./VOA