Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i SHBA Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë planifikon të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih javën e ardhshme për të diskutuar përfundimin e luftës.

“Mezi pres të flas për qëllimin e Trump për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme dhe të kushtueshme në Ukrainë. Unë do të takohem me aleatët e Amerikës që janë të gatshëm të punojnë me ne,” tha Kellogg në X.

Kellogg njoftoi se do të flasë në këtë konferencë, e cila do të mbahet nga 14 deri më 16 Shkurt. Agjencia e lajmeve, Bloomberg, duke cituar burime të paidentifikuara bën të ditur se Kellogg do të paraqesë planin gjatë konferencës.

Mediat shkruajnë se plani përfshin gjithashtu edhe dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën, por nuk specifikon se për çfarë garancish bëhet fjalë.

Duke mbështetur premtimin e tij për të ndërmjetësuar një marrëveshje të shpejtë paqeje, Trump tha së fundmi se Uashingtoni po udhëheq bisedimet “shumë konstruktive” për Ukrainën dhe se administrata e tij është në kontakt me Kievin dhe Moskën.

As presidenti dhe as i dërguari i tij në Ukrainë nuk dhanë detaje se si planifikojnë të ndërmjetësojnë përfundimin e luftës.

Kellogg, pritet të vizitojë Ukrainën gjatë këtij muaji për bisedime me zyrtarët ukrainas. Sipas Kellogg, SHBA-ja po e shqyrton mundësinë e presionit jo vetëm ndaj Moskës, por edhe ndaj Kievit, që palët të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Trump ka zbuluar gjithashtu se synon të takohet personalisht me Presidentin rus Vladimir Putin, duke i dhënë fund izolimit diplomatik të vendosur ndaj shefit të Kremlinit nga ish-Presidenti amerikan Joe Biden.

Së fundmi, Zelensky gjatë një interviste tha se do të pajtohej për bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, por në to do të duhej të merrnin pjesë SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Klan News