Tabelat e çmimeve të karburanteve shënuan një tjetër ulje këtë fundjavë. Nga një vëzhgim i bërë këtë të hënë në disa prej pikave të shitjes me pakicë të Tiranës, vërehet se nafta tregtohet nga 175 deri në 179 Lekë për litër.
Vetëm në një javë, nafta humbi rreth 5 Lekë për litër. Një rënie të çmimit ka pësuar edhe benzina dhe gazi i lëngshëm për automjete. Tendenca rënëse e çmimeve nisi që në fund të vitit të kaluar, ndërsa në Maj të këtij viti pati një tjetër rënie. Sipas ekspertëve, kjo rënie është e ndikuar më së shumti nga zhvlerësimi i Euros dhe Dollarit.
Ndërsa në tregjet ndërkombëtare, nafta e papërpunuar e nisi javën me një rritje të lehtë të çmimit për fuçi, pas vendimit të Arabisë Saudite, furnizuesit të dytë më kryesor të Kinës me naftë për të reduktuar eksportet drejt këtij vendi.
Ky vendim bëri që çmimi i naftës në bursat e Teksasit dhe Londrës të rritet me deri 1%, duke arritur respektivisht në 77.7 dhe 80.3 Dollarë për fuçi.
Tv Klan