Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan u ul për herë të parë në tokën shqiptare mesditën e kësaj të diele, ku u prit në nga Kryeministri i vendit, Edi Rama.

Të dy së bashku iu drejtuan Pallatit të Brigadave, ku kreu i qeverisë kishte organizuar një ceremoni mikëpritje për Presidentin Al Nahyan dhe delegacionin që e shoqëron atë.

Në ceremoninë zyrtare të pranishëm ishin dhe ministrat e qeverisë, pasi u nënshkruan dhe dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Njëra prej tyre lidhet me krijimin e një kompanie të përbashkët përmes KESH, UBA dhe MASADAR që synon të rrisë kapacitet e energjisë së rinovueshme. Marrveshje kjo që u shkëmbye mes Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe kryetarit të MASDAR Sulltan Al Jaber.

Ndërkohë marrëveshja tjetër konsiston në projektin Smart City, që parashikon mbulimin me kamera të qyteteve të Shqipërisë, me qëllim monitorimin e territorit. Në këtë projekt parashikohet dhe kreditimi i një fondi prej 118 milionë Euro me kushte tejet të favorshme.

Vizita e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri, zgjati vetëm pak orë pasi me përmbylljen e këtyre marrveshjeve dhe një takimi kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama, Mohamed bin Zayed Al Nahyan u largua nga vendi ynë.

Tv Klan