Shqetësim mbetet numri i lartë i viktimave
Në Maqedoninë e Veriut krahas shifrave të larta të infektimeve ditore, numri i rasteve aktive dita-ditës shënon rënie, për shkak të numrit të lartë të pacientëve të shëruar nga Covid-19. Por, shqetësimi kryesor mbetet numri i lartë i viktimave.
Kësisoj, gjatë kësaj jave, nga e hëna deri të premten, sipas Raporteve të MSH-së, janë shënuar 142 viktima, prej të cilëve 36 nga regjistri paralel “Termini Im’. Në mesin e tyre janë 55 viktima me dy doza të pranuara të vaksinës anti-Covid, për të cilët autoritetet e shëndetësisë thonë se kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Brenda pesë ditëve nga 23.440 testime janë shënuar 7.462 raste të reja, që i bie se çdo i treti i testuar rezulton pozitiv me Covid-19. Gjatë kësaj periudhe regjistrohen 1.002 riinfektime dhe 3 riinfektime të dyta.
Lajmi i mirë është numri i të shëruarve. Gjatë kësaj jave shënohen 14.646 pacientë të shëruar që ul numrin e rasteve aktive në 12.764. Sa për ilustrim, vetëm para një jave shifra e rasteve aktive ishte mbi 17.000. Sipas autoriteteve të shëndetësisë, shkurtimi i periudhës së izolimit nga 10 në 7 ditë ka ndikuar në zvogëlimin e rasteve aktive.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar në bashkëpunim me një IT-kompani do të përgatisë një sistem të ri elektronik të dorëzimit të vendimeve për izolim të personave të rinj të infektuar pasi tashmë janë shqyrtuar disa mundësi më efikase. Kjo vjen pas reagimeve se Inspektorati në ueb-faqe do t`i bëjë publike emrat, mbiemrat dhe adresat e të infektuarve të rinj.
Klan Macedonia