Kryeministri i Izrelit Benjamin Netanyahu tha ditën e sotme se sulmet në Gaza kanë për të vazhduar. Ai paralajmëron se do të nisë një pushtim në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pavarësisht bisedimeve për një armëpushim të mundshëm me Hamasin. Netanyahu këmbënguli se lufta do të vazhdojë derisa Izraeli të arrijë të gjitha objektivat e tij.

“Ideja se ne do ta ndalim luftën përpara se të arrijmë të gjitha qëllimet e saj është jashtë diskutimit. Ne do të hyjmë në Rafah dhe do të eliminojmë batalionet e Hamasit atje me ose pa marrëveshje, në mënyrë që të arrijmë fitoren totale,” shkruhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Netanyahut.

Komentet e tij pasojnë paralajmërimet e SHBA kundër një pushtimi të Rafahut, nëse civilët nuk mbrohen ashtu siç duhet. Presidenti i SHBA, Joe Biden në një bisedë telefonike me Netanyahun ditën e dielë, i përsëriti pozicionin e qartë për luftën që po zhvillohet. Biden e ka quajtur një “vijë të kuqe” pushtimin e Rafahut.

Më shumë se gjysma e popullsisë 2.5 milionëshe të Gazës është në Rafah, pasi ka ikur atje për t’i shpëtuar luftimeve në pjesë të tjera të territorit. Kushtet në qytetin e mbipopulluar janë të rënda. Njerëzit atje po përballen me mungesë të ushqimit, ujit të pijshëm dhe ilaçeve.

Rreth 130 pengje nga 253 të rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit të tij të paprecedentë ndaj Izraelit më 7 Tetor 2023 mbeten të pagjetur. Të paktën 34 prej tyre supozohet se kanë vdekur. Pjesa tjetër janë liruar ose shpëtuar. /tvklan.al