Kombëtarja shqiptare e minifutbollit, regjistroi fitoren e dytë në Botërorin që po mbahet në Oman. Kuqezinjtë e drejtuar nga Irtan Sejko mposhtën me rezultatin 2-1 Letoninë.

Ishte një përballje shumë e luftuar nga fillimi deri në fund. Shqipëria mori avantazhin me Giovanni Hoxhën në minutën e 15-të, ndërsa letonezët barazuan shifrat në minutën e 23-të.

Kombëtarja shqiptare nuk u dorëzua deri në fund dhe ia doli të shënojë golin e fitores me Erald Leci në minutën e 29-të.

Me këtë fitore, Shqipëria shkon në kuotën e gjashtë pikëve në grup pas dy ndeshjeve, pas fitores në ndeshjen e parë me të njëjtin rezultat ndaj Australisë.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grupin F më 5 Dhjetor ndaj Meksikës, në orën 12:00.

Në rast se Kombëtarja kuqezi renditet në dy vendet e para të grupit, do të kualifikohet më tej në raundin e 1/16-ave. /tvklan.al