Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May u ka bërë thirrje ligjvënësve konservatorë që të lënë mënjanë “preferencat personale” dhe të mbështesin marrëveshjen e Brexitit në Parlamentin britanik.
May u është drejtuar me një letër deputetëve britanikë, ku ka thënë se “historia do të na gjykojë të gjithë ne” lidhur me atë se si është trajtuar Brexiti, apo largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
“Dështimi për të arritur kompromiset e nevojshme që marrëveshja për largim të kalojë përmes Parlamentit në mënyrë që të respektohet rezultati i referendumit, rrezikon të ardhmen e ndritur që të gjithë e meritojmë”,
ka shkruar në letër May.
Kryeministrja May përballet me kundërshtimin e vazhdueshëm lidhur me mënyrën se si e ka udhëhequr procesin e daljes nga BE-ja nga edhe nga deputetët e partisë së saj.
Kryeministrja britanike javën e ardhshme do të takohet me zyrtarë të lartë të BE-së, me qëllim që t’i bindë ata të ndryshojnë disa pjesë të marrëveshjes së Brexitit.
Britania duhet të dalë nga BE-ja më 29 mars. Por, May nuk ka qenë në gjendje që të sigurojë mbështetën e shumicës së deputetëve për të votuar marrëveshjen për largim, të cilën ajo e arriti me BE-në vitin e kaluar./REL