Nuk kishte shumë dyshime se marrëveshja e Theresa May me Brukselin nuk do të votohej në parlamentin britanik. Dhe ndodhi pikërisht kështu.
Vetëm 202 deputetë e mbështetën marrëveshjen, ndërsa kundër votuan 432 të tjerë. Me votat kundër marrëveshjes u bashkua 1/3-ta e deputetëve partisë së kryeministres May, çka nga analistët konsiderohet si rebelemi më i madh i konservatorëve në histori. Pas shpalljes së rezultatit, May shprehu qëndrimin e saj kundër një referendumi të dytë.
Theresa May, kryeministre e Britanisë së Madhe: Është e qartë që dhoma e ulët nuk e pranoi këtë marrëveshje, por sot ky votim nuk na thotë asgjë se çfarë mbështet. Për ata që kanë frikë se strategjia e qeverisë është që të pengojë daljen më 29 Mars, dua t’u them se gabohen, por çdo ditë që kalon pa këtë marrëveshje do të thotë më shumë paqartësi e mllef.
Lideri i laburistëve në opozitë Jeremy Corbyn njoftoi se kishte dorëzuar në parlament kërkesën për mocion mosbesimi kundër qeverisë.
Jeremy Corbyn, Kryetar i Laburistëve Britanikë:
Kjo është një humbje katastrofike për këtë qeveri. Faji është i kryeministres që këmbënguli për këtë marrëveshje edhe pse ajo u refuzua gjerësisht nga parlamenti. Ajo i mbylli derën dialogut. Dalja pa marrëveshje nga unioni duhet të përjashtohet si mundësi. Ndaj dhe kam paraqitur një mocion mosbesimi për qeverinë.
Diskutimi i mocionit do të nisë të mërkurën. Nëse qeveria nuk mbijeton, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Dy janë zgjidhjet më të mundshme, dalja pa marrëveshje ose një referendum i dytë që mund ta anulojë Brexitin. Tashmë mbeten edhe rreth 70 ditë nga afati përfundimtar i daljes së Britanisë nga BE.
Tv Klan