Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron premtoi tre miliardë paund ndihmë ushtarake vjetore për Ukrainën për “për aq kohë sa duhet”.
Gjatë një vizite në Kiev ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë për të cilën Kremlini e konsideron një përshkallëzim të konfliktit .
“Ne jemi mbështetësit tuaj më të fortë. Unë mendoj se paketa që shpallëm është e rëndësishme jo vetëm sepse ishte paketa më e madhe e armëve të dhuruara që ne kemi bërë deri më tani, mendoj se këto tre miliardë paund nuk janë vetëm këtë vit, por për një kohë edhe më të gjatë. Kjo është paketa shumëvjeçare e së ardhmes për t’i treguar Putinit se ne do t’ju mbështesim për aq kohë sa duhet.”
Cameron u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba dhe Presidentin Volodymyr Zelenskiy në vizitën e tij të dytë në Kiev si sekretar i Jashtëm. Kryediplomati britanik përshëndeti edhe miratimin e paketës prej 60 miliardë dollarësh nga Kongresi Amerikan.
Nga ana tjetër presidenti francez Emmanuel Macron riktheu sërish në vëmendje mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake tokësore të aleatëve perëndimorë në Ukrainë. Në një intervistë për revistën prestigjoze The Economist, shefi i Elizesë tha se nuk përjashtonte asnjë mundësi, pasi Europa po përballej sipas tij me dikë që po ashtu nuk përjashton asgjë.
Macron shprehet se nëse Rusia ka vendosur të shkojë më tej, atëhere edhe aleatët duhet të shqyrtojnë çdo mundësi, ndër të cilët ndonëse nuk e përmendi, as nuk e përjashtoi dërgimin e trupave tokësore. Për presidentin e Francës, nëse Rusia fiton në Ukrainë, në Europë nuk do të kishte më siguri.
Klan News