Nga Tetori deri në Dhjetor të vitit 2023, nga 322 milionë euro të të ardhurave dytësore rreth 78% përfaqësohet nga dërgesat e emigrantëve, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Ky institucion nënvizon se prurjet valutore të emigrantëve, shënuan rreth 252 milionë euro me një rritje vjetore prej 4%.
Sipas raporteve të Bankës Qendrore, gjatë periudhës Tetor, Nëntor, Dhjetor 2023 është vërejtur rritje e dërgesave në formën e prurjeve në cash, kjo edhe si atribut i ardhjes së emigrantëve gjatë periudhës së festave të fundvitit. Ndërsa nëse i referohemi shifrave vjetore të vitit 2023, paratë që emigrantët dërgojnë te familjarët e tyre kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur nivelin më të lartë historik.
Remitancat apo dërgesat e emigrantëve arritën në gati 930 milionë euro në 2023, me rritje prej 11.3% në krahasim me vitin 2022 evidentohet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu operatorët e tregut pohojnë se kjo tendencë lidhet si me efektin pozitiv që ka dhënë te remitancat vala e re e emigracionit në 7-8 vitet e fundit, po dhe flukset e shtuara të konstatuara në treg nga kanalet jo zyrtare.
Italia dhe Greqia mbeten kanalet kryesore nga dërgojnë paratë emigrantët, megjithatë janë shtuar edhe prurjet nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, që janë në linjë me tendencat e reja të emigracionit.
Klan News