” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan
Loredana Ulliri, sekreti i suksesit në biznes
Emisioni “Pro Business” ka sjellë historinë e një vajze në fushën e biznesit në zonën e Niklës e cila që në vogëli është ushqyer me punën në fushën e prodhimit dhe tregtimit të mobilieve. Me “LORIN FURNITURE”, Loredana Ulliri ka treguar se ja ka dalë të realizojë ëndrrën e saj falë edhe mbështetjes së familjes. Pavarësisht sfidave, ajo tregon se ndjehet e motivuar për të ecur më tej e madje ëndërron të hapë edhe biznese të tjera.
“Indiciet normalisht ishin edhe nga prindërit, por edhe pasioni që kisha unë për të bukurën dhe për të arreduar, më nxiti më shumë që të vazhdoj këtë ëndërr dhe këtë nismë duke marrë këtë rrugë. Pastaj prindërit gjithmonë i kisha mbështetje, por jo që ma imponuar ishte dëshirë e imja.”
Ka arritur të mposhtë edhe paragjykimet për punën që bën një zonë që më së shumti dominojnë burrat në biznes.
“Në fillim ishte e vështirë sepse dëgjoja fjalë të ndryshme të tipit, po pse s’more diçka tjetër, një drejtim tjetër. Pse pikërisht mobilierinë, ndoshta është për meshkuj?! Por që e vogël kam qenë e prirur për të bërë gjëra unike edhe se kam marrë shumë parasysh këtë pjesën e të folurit.”
Viti i pandemisë ka përkuar me nisjen e punës.
“Në fakt çdo biznes ka vështirësi, por jam me këtë që sfidat dhe gabimet i lë që të ndodhin sepse realisht të bëjnë ta kuptosh më shumë biznesin dhe punën që bën. Nuk ka lidhje fare me çfarë ke mësuar, çfarë ke në plan, sepse të del një surprizë që ti se pret. Dhe i kam hapur të gjitha pjesët e këtyre sfidave dhe nuk është se i marr me vështirësi apo më stres, por të vështirë mund të quaj vitin e parë që isha në punë. Sepse ishte direkt pas pandemisë dhe çdo gjë ishte nga zero, për të krijuar klientelë të re, materialet që mund të kishte mungesa në tregje dhe ishte e vështirë.”
Në kompani është e fokusuar të investojë në makineri e pajisje.
“Është shumë e rëndësishme që në mobilieri të investosh në makineri. Ti mund të blesh një makineri të fundit sot dhe nesër del një tjetër që e lehtëson shumë punën, asnjëherë nuk janë mjaft makineritë. Jemi munduar që të fusim teknologjinë e fundit dhe ia kemi dalë që të marrim goxha fryte nga kjo punë.”
Loredana Ulliri vjen edhe me një mesazh për të rinjtë:
“Më shumë doja të jepja një këshillë. Shqipëria është një vend që është i mbushur me shumë mundësi dhe nuk duhet ta kenë atë synimin sepse shpesh dëgjoj njerëz dhe studentë që mbarojnë studimet dhe thonë do ik do largohem. Por unë jam me këtë që Shqipëria ka goxha kushte, goxha mirësi dhe nuk duhet ta kenë synim të largohen nga Shqipëria, por të investojnë këtu.”
Përfshirja dhe sfidat e grave në sektorët ekonomikë
Edhe pse numri i grave në biznes ka ardhur në rritje në Shqipëri, sërish ato përballen me shumë sfida. E ftuar në studion e “Pro Business” Znj. Albana Vrioni, themeluese e “Women On Boards Albania”, ndalet tek aktivitetet ku gratë janë më të përfshira dhe tek problemet e sfidat.
“Përfshirja e grave. Aktivitete që janë më shumë të lidhura me aktivitete administrative, psh. mësimdhënia, trajnimet, janë më të populluara me gratë. Gjithashtu edhe industri si puna e banking është gjithnjë e më tepër atraktive për gruan. Shikojmë që gjithashtu se telekomunikacioni po bëhet më tërheqës për gruan. Ka nisma për të përfshirë gruan në nivelin e teknologjisë, domethënë në aktivitetet teknologjike, të cilat janë të mrekullueshme, unë punoj ndonjëherë edhe direkt me to, por janë akoma shembuj individualë.”
Një problem për gratë në biznes është edhe mungesa e aksesit në financë dhe burokracitë.
“Në traditën tonë ai që ka firmën dhe të drejtën e pronës është mashkulli dhe kjo është trashëguar në ligjet tona, është trashëguar në sistemet financiare. E si rrjedhim gruaja, ka zhvilluar brez pas brezi mungesën e konfidencës, tek vetja e vet por edhe tek të tjerët, për të menaxhuar elementet financiare. Si rrjedhim dhe në sistemin financiarë ku ka nevojë që të ketë një lloj sigurie kur jepen kreditë, kjo siguri mungon dhe ajo bëhet një vetëpërforcues si sistem. Gruaja ka vështirësi për të aksesuar mundësi dhe mekanizma financiarë.”
Vrioni ndan edhe gjetje interesante nga anketa e “Women On Boards Albania”.
“Në fund të Tetorit të vitit 2024 ne bëmë një anketë të gjerë në Shqipëri, për fillimet e saj ne intervistuam ose ndoqëm të dhënat e 50 kompanive më të mëdha në Shqipëri. Rezultatet e saj janë që kompanitë më të mëdhatë, pra nga pikëpamja e të ardhurave në Shqipëri pjesëmarrja mesatare e gruas në këshillin mbikëqyrës është maksimumi 13%, ndërsa në këshillin drejtues tek 25%. Do të thotë që ka më shumë pjesëmarrje të gruas në drejtimin operacional, se sa ka pjesëmarrje të gruas në drejtimin strategjik”.
Albana Vrioni sjell një krahasim dhe me vendet e rajonit.
“Krahasimet me rajonin. Ne jemi ende mjaft dobët. Ne kemi bërë shumë mirë në fushën e politikës, kemi një pjesëmarrje ekzemplare të gruas në vendimmarrjen politike edhe pse kjo nevojë të jetë pak më e zgjeruar nga ana e organeve të vendimmarrjes, jo vetëm ato prezantuese. Tani kjo eksperiencë ka nevojë që të çohet në fushën e biznesit, dhe të mbështetet me mekanizma që monitorojnë progresin e saj.”
Financimi i sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë
Vajzat dhe gratë sipërmarrëse në vendin tonë po mbështeten edhe nga financimet e buxhetit te shetit. Nëpërmjet fondit të alokuar nga qeveria shqiptare, me një vlerë prej rreth 300 milionë lekësh, vajzat dhe gratë sipërmarrëse janë financuar për të zhvilluar sipërmarrjet e tyre. Detajet ne lidhje me këtë proces na i jep Drejtori i “Start Up Albania”, Arjan Ymeri.
“Financimi i sipërmarrësve shqiptarë, jo vetëm të rinj, por sipërmarrës në përgjithësi është në një fokus më të veçantë te gratë dhe vajzat. Ne kemi implementuar ose shpallur 2 thirrje brenda vitit 2024, një në Mars ku aplikuan 538 projekte ose po themi kompani nga të cilat u shpallën 94 fitues me një vlerë financimi 297 milionë lekë dhe 30% e tyre ishin të përbëra nga më shumë se 2/3 vajza ose gra, ose themeluese që ishin një grua ose vajzë. Numri i aplikantëve të përbërë nga kjo demografi ka qenë gjithmonë 60/40(burra/gra).”
Ymeri tregon se interesi ka qenë i lartë nga gratë edhe për aplikimet e këtij viti, ku 47% të këtyre aplikimeve e zënë gratë dhe vajzat.
“Aplikimet janë rritur me 10% nga vajzat dhe gratë, pra kemi 53% kompani të përbëra nga meshkuj/burra dhe 47% ishin gra dhe vajza. Ne këtë e shohim me pozitivitet sepse kemi një numër të madh nga hulumtues shkencorë që vijnë nga universitete tek kjo demografi. Shpresojmë që ky numër mos të bjerë në momentin e financimit, pasi ky është një moment i dytë pasi janë kualifikuar nga komisionet e vlerësimit.”
Disa nga objektivat e Agjencisë së Start Upe-ve janë rritja e kapaciteteve për kompanitë por edhe zhvillimi i tyre përtej tregut vendas.
“Kemi me fokus kompani që kanë mundësi për të krijuar platforma/shërbime/produkte në këtë sektor. Kjo vjen pak edhe nga angazhimi që ka Shqipëria për planin e rritjes, pra “Growth Plan” dhe po shikojmë se si më shumë kompani kanë mundësinë të operojnë ose të hulumtojnë këto lloje tregu dhe të prodhojnë produkte më shumë në këtë pikë. Një objektiv tjetër që ne kemi është rritja e këtyre kompanive përtej tregut shqiptarë, po themi një objektiv shumë i rëndësishëm sepse tregun e kemi të vogël, krahasimisht me vendet e Europës. Kemi shumë tregje të mëdha afër që nuk është vetëm Bashkimi Europian, Turqia, Afrika Veriore edhe tregjet në zhvillim.”
Një pikë tjetër e rëndësishme mbetet edhe strategjia për sipërmarrjet inovative, e sidomos për gratë.
“Strategjia që qeveria shqiptare miratoi në 26 Dhjetor që quhet Strategjia për Zhvillimin e Sipërmarrjeve Inovative në Shqipëri, është një strategji që mbulon vitet 2024-2030. Një prej komponentëve kryesorë është ndihma që do t’u jepet grave dhe vajzave për të rritur, për të themeluar e zhvilluar kompanitë e tyre gjatë kësaj periudhe.”