Zgjerimi i investimeve dhe të ardhurat nga turizmi do të vijojnë të kontribuojnë pozitivisht në ekonominë e vendit edhe për gjatë këtij viti, sipas Bankës së Shqipërisë.
“Kërkesa e brendshme si zgjerimi i konsumit familjar, zgjerimi i investimeve, por nga ana tjetër dhe kërkesa e huaj, kryesisht në formën e rritjes së të ardhurave nga turizmi, kanë vazhduar dhe ne presim që të vazhdojnë të mbështesin ecurinë ekonomike në vitin 2025 e më tutje”, u shpreh Erald Themeli.
Pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë janë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse për të arritur në objektivin prej 3% brenda këtij viti.
“Presionet e brendshme inflacioniste që do të thotë balanca e kërkesës dhe ofertës, si për mallrat dhe shërbimet, ashtu dhe në tregun e punës duket që po vjen në përmirësim. Pra në gjykimin tonë kjo ecuri më e balancuar e kërkesës dhe ofertës në ekonomi së bashku me një qetësim të presioneve të huaja inflacioniste do të mundësojnë një kthim gradual të inflacionit në objektiv për vitin 2025, se objektivi jonë ka qenë dhe mbetet niveli 3%”, tha Themeli.
Perspektiva ekonomike mbetet pozitive sipas Bankës së Shqipërisë dhe aktiviteti ekonomik pritet të rritet në përputhje me potencialin e tij gjatë dy viteve të ardhshme.
Klan News