Në raportin më të fundit tremujor të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë vihet re se ekonomia ka ardhur me rritje gjatë muajve të fundit. Rritja e pagave dhe niveli i punësimit janë ndër kontribuesit kryesorë të indikatorëve pozitivë.
Erald Themeli, Dr. i Departamentit të Politikës Monetare, BSH: Kemi pasur një rritje ekonomike solide ku sipas të dhënave të INSTAT gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit kjo rritje ishte në nivelin 4% dhe ajo që është po aq e rëndësishme është që rritja ekonomike është shoqëruar me zgjerim të punësimit, rritje të pagave dhe përmirësim të shëndetit të bilanceve financiare të biznesit shqiptarë. Të ardhurat e disponueshme të familjeve të siguruara nga punësimi, pagat, rritja e remitancave janë në zgjerim pra garantojnë një rritje konsumit dhe të mirëqënies së familjes shqiptare.
Parashikimet e Bankës së Shqipërisë për vitin e ardhshëm mbeten optimistë si për inflacionin ashtu edhe për konsumin dhe investimet.
Erald Themeli, Dr. i Departamentit të Politikës Monetare, BSH: Ne presim gjithashtu që inflacioni në vitin 2025 të lëvizë drejt objektivit tonë prej 3%. Ne gjykojmë që ambienti monetar dhe financiar do të mbetet stimulues, ekonomia shqiptare do të ketë në dispozicion një ofertë të kredisë bankare që i shërben plotësimit të nevojave të saj për konsum dhe investime.
Për shkak të indikatorëve ekonomike të mësipërm pak ditë më parë Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit për Lekun nga 3% në nivelin e 2.75%.
Klan News