Burgim të përjetshëm dhe 30 vite burg shtesë. Është ky dënimi i rëndë që iu dha nga gjykatësit në New York, bosit meksikan të drogës “El Chapo”. 62-vjeçari Joaquin Guzman u shpall fajtor për 10 akuza të rënda, përfshirë trafikimin e sasive të mëdha të drogës, kryesisht kokainë drejt Shteteve të Bashkuara dhe pastrim parash.
Gjykatësit vendosën që ai të paguajë edhe 12.6 miliardë dollarë si dëmshpërblim, të cilat autoritetet amerikane do ia marrin duke i konfiskuar pasuritë. Vendimi për 30 vite burg shtesë iu dha për përdorim të paligjshëm të armëve.
Gjatë procesit gjyqësor në Shtetet e Bashkuara që nisi në Nëntor të vitit të kaluar, qindra dëshmitarë rrëfyen se si “El Chapo” urdhëronte masakrimin dhe torturimin e pjesëtarëve të karteleve rivale.
“El Chapo” u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në 2017-ën, dy vite pas arratisjes nga një burg meksikan. Ai u arrestua në 2016-ën falë edhe kontributit që dha aktori Shon Pen, në zbulimin e vendndodhjes së tij në xhunglat meksikane, ku shkoi për ta intervistuar.
Aktiviteti i kartelit “Sinaloa”, drejtuar prej tij, nis 25 vite më parë dhe prej atëherë, hetuesit thanë se ai ka trafikuar male me kokainë. Në fshatin nga ka marrë emrin karteli, “El Chapo” krahasohej me Robin Hudin pasi jepte shuma të konsiderueshme parash për banorët.
Tv Klan