Deputetët e Komisionit të Ekonomisë nuk e konsiderojnë një betejë të humbur, mospranimin e nismës së tyre për të bërë 0 tatimin e pagave deri në 40 mijë lekë të reja, nga 30 mijë që është sot. Ervin Bushati, i cili është edhe relator i paketës fiskale, shprehet se detyrat e qeverisë mbeten që të zbutet tatimi për punën për shtresat në nevojë gjatë këtij viti. Kjo mund të bëhet edhe duke luftuar informalitetin për ata që kanë rroga të larta por deklarojnë më pak.
Nëse do të përgjigjej me një fjali se kujt i dedikohet buxheti i vitit të ardhshëm , Bushati shprehet për sektorin e bujqësisë.
Por ai nënvizon edhe uljen e borxhit dhe konsolidimin fiskal. Buxheti rrit pagat për disa sektorë të administratës, mbështet arsimin dhe shëndetësinë, por lehtëson edhe barrën për biznesin.
Vitin e ardhshëm buxheti do të jetë 5.19 miliard dollarë, 220 milion më shumë se ai i këtij viti, ndërsa të ardhurat rriten në të njëjtat nivele me rritjen ekonomike, deficit arrin në 1.9% të prodhimit kombëtar, ndërsa borxhi publik 64.9%.
Tv Klan