Deputeti i PS u kallëzua nga PD në Tetor të 2018-ës
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka nisur hetimet për deputetin socialist Ervin Bushati për dy vepra penale, atë të fshehjes dhe mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.
Ka qenë Partia Demokratike që përmes një njoftimi të shpërdarë për mediat, bëri me dije se, SPAK i ka konfirmuar se ka nisur hetimet për deputetin Bushati.
Një javë më pare, selia blu kërkoi informacion nëse SPAK ka regjistruar procedimin penal për deputetin socialist. Në përgjigje të kësaj shkrese, organi i akuzës njoftoi Partinë Demokratike se në 12 Mars të këtij viti ka regjistruar procedim penal për fshehje ose mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.
Hetimet po ndiqen nga prokurororja e posaçme Doloreza Musabelliu, por për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor nuk jepen të dhëna për ecurinë e veprimeve hetimore.
PD e ka depozituar kallëzimin që në Tetor 2018 dhe çështja u kalua nga Prokuroria e Tiranës tek SPAK. Sipas PD, bëhet fjalë për mosdeklarimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të Ervin Bushatit, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.
Tv Klan