Partia Demokratike ka përsëritur edhe njëherë akuzat kundër deputetit të Partisë Socialiste, Ervin Bushati. Në një deklaratë, PD deklaron se Bushati po hetohet nga SPAK për 2 vepra penale, në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë dhe falsifikimit të dokumenteve për rreth 3100 m2 në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.

Më tej partia më e madhe e opozitës kërkon nga SPAK që të mos zvarriten hetimet dhe shton se kjo strukturë nuk duhet të zhgënjejë pritshmëritë e qytetarëve.

Kur bëhet fjalë për të fshehur pasurinë, deputeti dhe Kryetari i PS për Tiranën, Ervin Bushati, është kopje e shefit të tij të madh Edi Rama dhe e shefit të tij më të vogël, Erion Veliaj. Ai po hetohet nga SPAK për 2 vepra penale, në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë dhe fallsifikimit të dokumentave për rreth 3100 m2 në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.

SPAK nuk duhet ta zvarrisë më hetimin! SPAK nuk duhet të zhgënjejë pritshmërinë e qytetarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë! Kushdo duhet të përgjigjet penalisht për abuzimet me detyrën dhe besimin e qytetarëve. Çdo qindarkë e vjedhur duhet t’i kthehet qytetarëve. 👇”, është ky reagimi i PD.

Më herët SPAK konfirmoi sot për Partinë Demokratike se kundër deputetit Ervin Bushati ka nisur një hetim për 2 vepra penale./tvklan.al