Rruga e Komanit, një aks i rëndësishëm për aksesin drejt potencialeve turistike të Alpeve ka nisur të rikonstruktohet. E ndërtuar 50 vite më parë, 31 km e saj lidhin dy hidrocentralet në veri të vendit, atë të Vaut të Dejës dhe Komanit.

Por përfitues nuk do të jetë vetëm Koorporata Elektro-Energjitike, e cila është investitore e kësaj rruge. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me kryeministrin Rama të cilët panë nga afër punimet thanë se ky investim do ketë një impakt të madh edhe në rritjen e turizmit, pasi ky aks të çon drejt dy prej destinacioneve më të bukura në veri, lumit të Shalës dhe Thethit.


“Kjo rruga që e kishit merak tani do hapet, do i japë siguri, qëndrueshmëri dhe shumë hov turizmit”, tha Rama.

Nuk do përfitojnë vetëm hidrocentralet tona, do ketë 2 pankina nga 3 metra dhe kushte shumë të larta sigurie duke eliminuar kthesat e ngushta, do përfitojë edhe turizmi”, u shpreh Balluku.

Shqetësimit të banorëve për mungesën e ndërhyrjes ndër vite në këtë rrugë, Edi Rama iu kujtoi premtimet e mbajtura të qeverisë së tij.“Ne themi ça e bëjmë e bëjmë, jo të gjitha bëhen përnjëherë. Kësaj radhe ta bëjmë shkëlqyeshëm!”

Edhe në këtë inspektim nuk munguan batutat me banorët e zonës.

Pak kohë më parë një apel drejtuar qeverisë për rikonstruksionin e kësaj rruge bëri edhe Arqipeshkvi i Shkodrës imzot Angelo Massafra, duke e cilësuar shumë të rrezikshme dhe të pasigurt për jetesën e banorëve vendas.

Tv Klan