Humbjet ndaj Barcelonës dhe Milanit tronditin stolin e Carlo Ancelottit. Zërat për shkarkimin sa vijnë e shtohen, pavarësisht se drejtuesit e Real Madrid besojnë verbërisht te cilësitë e italianit.

Sipas asaj që raportohet në mediat spanjolle, Florentino Perez është i shqetësuar për imazhin e skuadrës nga dy humbjet e fundit dhe këtë ia kanë bërë të ditur Ancelottit. Kjo nuk do të thotë se ai është në një situatë ekstreme për sa i përket të ardhmes së tij, por gjithçka mund të ndryshojë. Sfida kundër Osasunës shihet si një pikë kthese për të ardhmen e Ancelottit.

Një humbje e mundshme mund të derdh gotën dhe nisur nga kjo situatë, emrat kanë nisur të shfaqen për të zëvendësuar italianin. Për momentin tashmë janë dy emra që qarkullojnë për të qenë zëvendësuesi provizor i italianit.

I pari, Solari, ndërsa më i mundshëm shihet ai i Raul Gonzales. Trajneri i ekipit të dytë të Real Madrid po kalon një sezon të keq, gjithsesi, shihet si zëvendësues i Ancelottit. Plani i Real Madrid në rast se italiani shkarkohet është që të ketë një trajner të përkohshëm deri në sezonin e ardhshëm ku mendohet se i zgjedhuri është Shabi Alonso.  

Klan News