Në bibliotekën e Akademisë së Arteve të Bukura në Leçe të Italisë u organizua një leksion i hapur me artistin e mirënjohur shqiptaro-italian, Alfred Mirashi, i cili njihet me emrin e artit Alfred Mirashi Milot.

Në këtë takim të organizuar nga profesorët italianë Massimo Guastella dhe Patrizia Staffiero, u mbajt tema e diskutimit “Çelësat e Milotit, dialog me Alfred Milot Mirashi”, ku u fol për përvojën njerëzore dhe artistike të artistit, i cili së bashku me shumë shqiptarë të tjerë në vitin 1991 emigruan drejt Italisë.

Vetë artisti foli për jetën e tij, emigrimin në Itali dhe studimet e tij në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras.

Alfred Mirashi tregoi eksperiencën e krijimit të veprave të tij të realizuara në materiale të ndryshme, si alumini, hekuri, fibrat e xhamit etj., të cilat i shfrytëzon për t’i dhënë jetë skulpturave të tij të famshme, “Çelësave”.

Nën praninë e profesorëve, studentëve dhe publikut të gjerë, artisti shqiptaro-italian trajtoi tema sociale që kanë shënjuar rrugëtimin e tij përgjatë jetës, teksa në monitor shfaqeshin veprat e krijuara prej tij.

E sa i përket veprës së tij të famshme, “Çelësat”, Mirashi shpjegoi se është një simbol hapje dhe shkëmbimi mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme.

Veprat e tij ngjallin dëshirën për të thyer barrierat dhe për të pranuar perspektiva të ndryshme mbi të ardhmen.

Studentëve, ai u theksoi rëndësinë që mbartin akademitë e arteve të bukura, si një çelës që hap derën drejt botës së artit bashkëkohor.

Për Alfred Mirashi, arti mbetet një mjet i fuqishëm komunikimi për të krijuar lidhje mes njerëzve dhe realiteteve të ndryshme.

Artisti Alfred Mirashi i ka prezantuar instalacionet e tij në Itali, Nju Jork, Pragë dhe shumë vende të tjera, ku ka fituar dhe çmime të ndryshme ndërkombëtare.

Disa muaj më parë, në Shkodër u vendos instalacioni “Çelësi Shqiptar” i Alfred Mirashit që mbart mesazhin e mos pasjes së dyerve të mbyllura, por shanse të barabarta për të gjithë. /tvklan.al