“15 ditë prilli” çeli sezonin e ri teatror në Durrës me premierën e saj mbrëmjen e së shtunës.
“Një dramë shumë e rëndësishme ku luajnë plot 12 aktorë të mrekullueshëm dhe performojnë në skenë 55 personazhe”, tha Alketa Tragaj, Drejtore e Teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Shfaqja është një dramë satirike e Anisa Markarian, emër i njohur i kinematografisë shqiptare dhe më gjerë. Autorja, e emocionuar, e cilëson këtë si hapin e saj të parë në dramaturgji.
“Shumë emocion, më duket se kur do të ngjitem unë në skenë. Ngjitet romani, ngjitet një dramë, ngjiten sigurisht aktorët nën bagetën magjike të regjisores, por unë vet jam shumë e emocionuar”, Anisa Markarian, autore.
Regjisorja Driada Dervishi e vlerëson këtë përzgjedhje si një sfidë të veçantë. Vepra, tërësisht shqiptare, sjell atmosferën e Shqipërisë komuniste përmes 50 personazheve, të interpretuar nga 12 aktorë.
“Për mua ky është një event i rëndësishëm i Teatrit Aleksanër Moisiu, i repertorit të dramaturgjisë shqiptare. Është një moment i veçantë do thoja edhe për vet mangësitë që kemi në dramat shqiptare”, Driada Dervishi, regjisore.
Kasti përfshin emra si Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Sanie Hoti, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj dhe Jaho Guma. Sipas aktorit Amos Zaharia, kjo premierë ishte një sfidë dhe një përvojë e veçantë për trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku spikasin edhe emra të njohur të skenës kombëtare.
“Sjell të kaluarën e Shqipërisë, një kohë e errët që të gjithë ne e njohim, por nga ana tjetër po të mendosh që ata që kanë lindur në vitet 90’ sot janë 35 vjeç. Mbase është një rifreskim i të kaluarës dhe ai popull që nuk mban mend historinë e vet është i detyruar, i destinuar ta ripërsërisë”, tha Amos Zaharia, aktor.
Ngjarjet përshkruajnë 15 ditët e festimeve për ditëlindjen e udhëheqësit të lavdishëm, gjatë së cilës ndodhin situata dramatike, groteske dhe me nota humori, duke e mbajtur publikun të lidhur. Shfaqja do të vijojë në teatrin “Aleksandër Moisiu” deri më 4 mars.
Klan News