Autoritetet amerikane kanë zbardhur itinerarin e 20-vjeçarit Thomas Matthew Crooks 48 orë përpara se të qëllonte me snajper ish-Presidentin amerikan Donald Trump duke e lënë të plagosur lehtë.
Lëvizjet e tij ishin rreth qytetit Pittsburgh. Të premten, ai shkoi në një poligon ku ishte i regjistruar dhe bëri qitje me armë, raporton CNN. Të nesërmen në mëngjes shkoi në një dyqan ku bleu një shkallë. Më pas ndaloi në një dyqan armësh, ku bleu 50 fishekë.
Prej andej udhëtoi me makinën e tij Hyundai Sonata për rreth 1 orë në veri të vendit duke u bashkuar me turmën e njerëzve që morën pjesë në tubimin elektoral të Donald Trump në Butler të Pensilvanisë.
Ai e parkoi automjetin jashtë zonës së tubimit, ku në bagazh kishte vendosur eksplozivë të lidhur me detonator që e mbante me vete.
Më pas, thonë hetuesit, përdori shkallën që kishte blerë për t’u ngjitur në tarracën e ndërtesës rreth 200 metra larg podiumit ku fliste Trump, nga dhe hapi zjarr.
Ai qëlloi disa herë me snajper dhe një plumb e kapi në vesh ish-Presidentin Trump. Një ish-shef i zjarrfikëses humbi jetën si pasojë e të shtënave, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Pak sekonda më vonë, 20-vjeçari u ekzekutua nga snajperistët e Shërbimit Sekret. Arma që autori përdori ishte me leje e regjistruar në emër të babait të tij.
Prindërit e 20-vjeçarit janë pyetur nga policia dhe janë treguar bashkëpunues.
Megjithë hetimet e deritanishme, FBI nuk ka arritur ende të zbulojë motivet përse i riu donte të vriste Donald Trump, i cili kandidon sërish për President të SHBA-së.
Ndërkohë, telefoni dhe kompjuteri i tij janë ekzaminuar nga hetuesit e FBI, por edhe aty nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme që t’i lidhin me motivet. As në historikun e kërkimeve të tij në internet, nuk u gjetën evidenca që ai të kërkonte se si të montonte dhe lidhte eksplozivin që u gjet në bagazhin e automjetit. Hetuesit besojnë se 20-vjeçari kishte planifikuar të shpërthente eksplozivin që të krijonte shpërqëndrim gjatë të shtënave me armë.
/tvklan.al