Mbrëmjen e sotme emisioni ‘Opinion’ në Tv Klan ka nisur në një mënyrë jo të zakontë pasi hapja e emisionit është bërë nga kantierit ku ndodhi shpërthimi katastrofik në Lushnje.

Gazetari Blendi Fevziu ka shkuar në vendin e ngjarjes së rëndë që solli dy viktima dhe 7 të plagosur. Pamjet e rrënojave tregojnë pasojat e rënda të shkaktuara nga ky shpërthim.

“Një vend i kthyer i gjithi në një rrënojë për arsye të një shpërthimi të madh. Një shpërthim që duket si një shpërthim i një arme të fortë që deri tani nuk ka një përgjigje nga ku ka ardhur. Gjithçka është e rrënuar. Një pjesë e copave të metalit janë bërë fije-fije dhe janë hedhur gati-gati si predha që mund të shkaktonin vdekjen e banorëve fare pranë”, shprehet Fevziu.

Siç shihet nga pamjet e transmetuara në ‘Opinion’ vinçi që shkaktoi shpërthimin është akoma në pozicionin e punës dhe sipër duken telat e tensionit të lartë që pretendohet se mund të ketë prekur.

Shpërthimi ndodhi në një kantier ndërtimi me konstruksion metalik të deputetit të PS Bujar Çela, ku shpërtheu një bombol me oksigjen gjatë ngritjes me vinç, duke lënë të vdekur vinçierin dhe djalin e tij.

Ndërkohë nga hetimet e policisë për zbardhjen e shpërthimit që ndodhi të premten në Lushnjë, deri në këtë fazë nuk rezulton të ketë ardhur nga kontakti me linjën e tensionit të lartë edhe pse fillimisht kjo ishte pista kryesore.

Pista kryesore ku Prokuroria dhe Policia e Fierit është përqëndruar është ajo e shpërthimit për shkak të një avarie që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë./tvklan.al