Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se presioni ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës, mund të çojë në planet e Prishtinës për një plan të llojit “STUHIA” i cili mund nxisë konflikt midis Serbisë dhe KFOR-it.
Daçiç ka potencuar se po kërkohet një zgjidhje për çështjen e Kosovës dhe se korrigjimi i kufirit është vetëm një ide por që nuk ekzistojnë ide tjera.
Sipas tij, përderisa dialogu nuk shkon në drejtim të kësaj ideje, mund të pritet vazhdimi i presionit ndaj Serbisë, që ta njohë Kosovën, në gjendjen aktuale, duke përfshirë si pjesë të saj edhe veriun e Mitrovicës.
“Kurrë nuk do ta japim veriun e Kosovës, dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Ne nuk kemi lidhje territoriale në mënyrë që të gjitha zonat e banuara me serb në Kosovë të mbeten nën Serbi” ,
ka thënë Daçiç për një televizion serb.
Ai më tutje ka thënë se në Shtetet e Bashkuara tashmë “fryjnë erëra të reja” duke krijuar mundësinë që serbët dhe shqiptarët të arrijnë një marrëveshje./REL