Braziliani pagoi 1 mln Euro, do vuajë dënimin në shtëpi

Periudha pas hekurave ka kaluar tashmë për Dani Alvesh. Mbrojtësi brazilian ka lënë pas 14 muaj i izoluar, pasi ka paguar mbi 1 milionë euro për ta vuajtur dënimin në shtëpi. 40-vjeçari ka shfrytëzuar klauzolën e vendosur nga gjykata e Barcelonës, ku kontribues ka qënë familja e sulmuesit brazilian, Neymar Jr. Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, Alves ka dorëzuar edhe pasaportat e tij spanjolle dhe braziliane, për të mos u konsideruar si rrezik që mund të largohet nga vendi.

Ish-mbrojtësi i Barcelonës ishte burgosur për herë të parë në janar 2023, teksa mbi të rëndon dënimi prej 4 vitesh e gjysmë. Si kusht, ai do të paraqitet në polici një herë në javë. Alves dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe më pas përdhunuar një 23-vjeçare në një klub nate në Barcelonë. Tani ai do të presë në liri të kufizuar rishqyrtimin e dënimit për sulm seksual.

Avokatja e tij, Ines Guardiola ka thënë se braziliani ka dy llogari bankare në Spanjë. Në njërën nuk ka para, ndërkaq në tjetrën janë vetëm 51 mijë euro. Guardiola vitin e kaluar ka thënë se klienti i saj po kalon një krizë financiare, edhe pse llogaritet të ketë një pasuri prej 55 milionë eurosh. Alvesit gjithashtu i janë ngrirë llogaritë në Brazil për shkak të problemeve me ish-bashkëshorten Dinorah Santana.

Klan News