Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani është shpallur kampion i antikorrupsionit për vitin 2024 nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ai u vlerësua, pasi si drejtues i SPAK ka goditur politikanë të lartë, por edhe grupe të rëndësishme kriminale, duke bërë punë të jashtëzakonshme dhe duke e kthyer institucionin që drejton, më të besueshmin në Shqipëri.
Ky vlerësim ju dha gjatë një ceremonie të zhvilluar në Uashington, me praninë e Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken. “Kryeprokurori i Posaçëm, Altin Dumani me integritet, profesionalizëm dhe kurajo në Shqipëri drejton një agjenci të re kombëtare, të mandatuar nga reforma në drejtësi në vitin 2016, që ndjek zyrtarë të lartë dhe drejtues të krimit të organizuar. Ka goditur politikanë të lartë, por edhe grupe të rëndësishme kriminale. Ne e njohim Altin Dumanin si kampion kundër korrupsionit, dhe institucionin që ai drejton si më të besueshmin në Shqipëri.”
Ky dekorim për Kreun e SPAK vjen 3 vite nga dita kur Shtëpia e Bardhë publikoi strategjinë kundër korrupsionit. Departamenti i Shtetit ka vlerësuar ata që zbatojnë dhe udhëheqin në terren nismat kundër korrupsionit, edhe pse shpesh herë janë ndeshur me rreziqe personale. Ceremonia u bë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit dhe Altin Dumani ishte mes 10 kampionëve Globalë kundër Korrupsionit.
Klan News