Ditën e sotme, Amerika voton për presidentin e saj të ardhshëm. Në garë janë Kamala Harris dhe Donald Trump. Në këtë artikull do të gjeni datat më të rëndësishme të këtij procesi që nga dita e zgjedhjeve, pra sot, e deri ditën kur presidenti i ri do të marrë detyrën.
5 Nëntor – Dita e Zgjedhjeve
-Sot është dita e zgjedhjeve në SHBA. Megjithatë do duhen ditë që të njihemi me rezultatin sidomos kur dimë që sondazhet i nxjerrin shumë ngushtë dy kandidatët dhe nga ana tjetër votat me postë janë faktor i rëndësishëm për të vendosur fituesin.
26 Nëntor – Dënimi i Trump
-Mbajeni mend mirë këtë datë. Donald Trump do të bëhet i pari ish-president, ose president në detyrë (nëse fiton zgjedhjet e këtij viti) që dënohet për një krim. Bëhet fjalë për rastin me yllin e filmave porno, për të cilën ai pagoi para që ajo të mbante të fshehur takimin dhe njohjen mes tyre. Po ashtu ai është shpallur fajtor edhe për disa akuza të tjera mes tyre edhe për falsifikim dokumentesh. Vetë Trump ka mohuar çdo akuzë. Fillimisht dënimi ishte parashikuar të jepej më 18 Shtator, por u shty.
17 Dhjetor – Mblidhen zgjedhësit
-Zgjedhësit, të cilët së bashku formojnë atë që njihen si Kolegji Zgjedhor takohen në shtetet e tyre respektive dhe në Distriktun e Columbia-s për të zgjedhur presidentin dhe zv/presidentin.
25 Dhjetor – Roli i Senatit
-Në këtë datë votat zgjedhore duhet të merren nga kreu i Senatit, një rol që mbulohet nga zv/presidenti, pra aktualisht Harris dhe një arkivist.
6 Janar 2025 – Numërimi i votave
-Zv/presidentja numëron votat e Kolegjit Zgjedhor në një mbledhje të Kongresit. Aty shpallet rezultati dhe deklarohet se kush është zgjedhur president. Kujtojmë që në 2021-shin, asokohe Presidenti Trump kritikoi zv/presidentin e tij Mike Pence që refuzoi të pengonte Kongresin që të certifikonte fitoren e Joe Biden. Në të njëjtën ditë, u sulmua Capitol-i nga mbështetësit e Trump në përpjekje për të ndaluar numërimin e votave. Megjithatë, fitorja e Biden u certifikua po atë ditë.
20 Janar 2025 – Inaugurimi i Presidentit
-Tashmë çdo gjë ka marrë fund. Thjesht bëhen formalitetet. Fituesi i ri inaugurohet më 20 Janar bashkë me zv/presidentin, duke marrë detyrë. Të dy betohen mbi Kushtetutë./tvklan.al