Te Spanja vëmendja është maksimale për finalen e Europianit. Trajneri Luis de la Fuente tha se ndeshja e Berlinit do të jetë një spektakël i vërtetë. “La Roja” do të ketë të disponueshëm për përballjen e së dielës si kapitenin Alvaro Morata, ashtu edhe mbrojtësin Jesus Navas.
“Kam shpresë dhe jam entuziast për t’u përballur me një rival të një cilësie shumë të lartë dhe të rëndësishme me futbollistë të mëdhenj dhe mendoj se kjo të shtyn të mendosh se kjo do të jetë një ndeshje e madhe, një spektakël unik.”
Tekniku 63 vjeçar analizon cilësitë e “tre luanëve”.
“Kemi stile të ndryshme, por Anglia gjithashtu ka një skuadër shumë të fortë fizikisht. Ata janë lojtarë që u pëlqen kur kanë hapësira dhe të vrapojnë në hapësira të lira. Do të përpiqemi të imponojmë stilin tonë, të kemi më shumë zotërim, por ne kemi edhe opsionin që të luajmë në kundërsulm. Ka shumë aspekte psikologjike që mund të influencojnë zhvillimin e lojës, e ne do të përpiqemi t’I dominojmë të gjitha aspektet.”
Finalja e Berlinit mes Spanjës dhe Anglisë do të luhet më 14 korrik e do të transmetohet në televizionin Klan.
Klan News