Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Polemikat kanë shoqëruar sot seancën dëgjimore të dëshmitarëve në komisionin e fajdeve. Ndërsa ish-prokurori i përgjithshëm Arben Rakipi, tha para anëtarëve të komisionit, se zëvendësimi i prokurorëve të çështjes VEFA, Skënder Demiri është bërë për arsye se qëndrimi i këtij të fundit përputhej me atë të avokatëve të firmës VEFA, deputeti Dajçi i kujtoi anëtarëve të komisionit, se Demiri ka qenë i pari që ka akuzuar Farudin Arapin për abuzim me paratë e firmave piramidale.
Dajçi iu drejtua Rakipit me pyetjen, nëse ai ishte në dijeni, për faktin se prokurori që zëvendësoi Demirin, kishte konflikt interesash me VEFA-n. Në këtë moment Rakipi ka pretenduar se po fyet personalisht edhe për faktin, se po barazohet me një të burgosur si Vehbi Alimuça.
Arben Rakipi:- “Ju keni marrë përsipër, të ndreqni gabimet proceduralë në dëm të Vehbi Alimuçës, apo të hetoni për fajdet?”
Ndërsa pyetjes, nëse ka ndërhyrë SHIK në firmat piramidale, numri 2 i SHIK të asaj kohe Bujar Rama, pranoi se SHIK është i interesuar për firmat rentiere, në momentin që ato parashikoheshin si kërcënuese për qetësinë e vendit.
Bujar Rama:- “Konkluzioni ishte që këto ishin firma që mund ta çonin vendin drejt destabilizimit dhe kjo ishte dhe detyra që nga sa mbaj mend unë i ishte dhënë shërbimit”.
Rama pohoi sot në komisionin e fajdeve, se njëri prej titullarëve të firmës Gjallica, Gani Kadriu është mbikëqyrur, pasi sipas tij, ai:
Bujar Rama:- “Gani Kadria më kujtohet që kishte mbaruar shkollën e Sigurimit, kishte qenë operativ në Kukës, kishte një pikëpyetje nga vetë sigurimi i shtetit, për marrëdhënien me shtetin Jugosllav”.
Dëshmitari tjetër i komisionit të fajdeve, prokurori Bilbil Mete, pohoi, se tek Gjallica ka pasur mungesë të theksuar dokumentacioni për paratë e kreditorëve.
Bilbil Mete:- “Shteti shqiptar mund të gjejë mundësinë, qoftë dhe duke bërë kallëzime në organet kompetente të vendeve respektive, për të filluar procedime penale, ose për t’i kërkuar këto para me gjyqe civile”.
Një ditë para përfundimit të punës së komisionit të fajdeve, anëtarët e komisionit vijojnë me dëgjimin e administratorëve të firmave rentiere./tvklan.al