Burime për Klan News kanë bërë me dije se gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike ka pasur debate. Edi Paloka dhe Albana vokshi kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje, ku të dyja palët të përcaktojnë përfaqësues dhe të vlerësojnë firmat në zyrën e tij. Këtë propozim e shprehu më herët gjatë ditës edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.
“Vendimi që do të marrë Kryesia (për mbajtjen e kuvendit ne 18 dhjetor) është ilegjitim, sepse partia ka më shumë të emëruar se të zgjedhur”, tha Vokshi.
Ndërkohë Aldo Bumçi ka mbështetur propozimin e Palokës dhe të përdoren negociatat mes palëve si zgjidhje.
Aldo Bumçi: Vendimi për përjashtimin e Berishës u mor pa respektuar askënd, e mori i vetëm duke futur në krize opozitën dhe jo qeverinë. Ndryshe nga Berisha në 2001 apo Rama në 2009, Basha zgjodhi mos të ndërmerrte asnjë kushtëzim për qeverinë. Sot mbas dy humbjesh radhazi, mbasi demokratet ju ndoqën në çdo aksion si asnjë lider tjetër, protesta djegie mandatesh, çadra etj. Braktisje zgjedhjesh lokale, përgjegjësia e madhe është juaja z.Basha. Kriza e dytë buron nga braktisja e masakrës zgjedhore. Me raportin me kritik për zgjedhjet nuk u ndërmor asnjë hap. Ne jemi në krizë se humbën zgjedhjet për herë të dytë, dhe këtu kemi përgjegjësi të gjithë. Por përgjegjësinë më të madhe, si në çdo parti tjetër e ka kryetari. Çfarë mund t’i thotë më votuesit shqiptar Lulzim Basha mbas 8 vitesh, çfarë aksioni do t’i propozojë që nuk e bëri? Nuk mund të shumëzohen me zero mbi 4200 firma. Ato janë fuqia reale. Basha me qëndrimin e tij po fut në krizë PD-në. Është krize e Bashës dhe jo e të tjerëve. Të mbështetet propozimi i zotit Paloka, dhe të përdoren negociatat si zgjidhje.
Ndërkohë për Gjekmarkajn, kjo e hënë është “natë reflektimesh”. Sipas tij, anëtarët e Kryesisë kanë menduar që Basha dhe Berisha janë bashkë deri në momentin që u ndanë.
Agron Gjekmarkaj: Sonte është një natë reflektimesh! Mbajta shënime kur folën kolegët ! U tha këtu që kriza filloi se humbëm zgjedhjet! Nuk është kështu! Ne patëm një Kongres në Korrik që për mua mbetet një kujtim i shëmtuar! Duke filluar nga fjalimi i Zotit Basha dhe i të gjithëve ju me radhë! Fjalime propagande, të gjithë ju u ikët problemeve që trashëgonim, qe e gjitha një fasade hipokrizie! A e dini pse? Sepse ju mendonit që Basha dhe Berisha janë bashke gjithmonë dhe patë interesat tuaja! Jua thashë disa miqve si folët kësisoj? Qeshnin! Ja thashë Flamurit para RTSH “e shkatërrove armikun me atë fjalim”! Qeshëm të dy. Foli vetëm Mark Marku, ju tha të vërteta të renda. Heshtët. E mbështeta vetëm unë me shkrime. Pas datës 9 Shtator ndryshoi gjithçka. Filluan problemet e statutit, filloi kriza. E nisi Sali Berisha për arsye personale. Mua nuk do më dëgjoni kurrë duke sharë Sali Berishën. E konsideroj personalitet politik me shqisa unike, por gjykim kam. Ai e di që nuk e fiton betejën me SHBA dhe ka filluar betejën me Lulzim Bashën./tvklan.al