Kemi përpara një javë dinamike që do i ketë të gjitha: Diellin, rrebeshet e shiut, stuhi detare e madje edhe dëborë në zonat malore. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se dita e sotme dhe e nesërme do të jenë kryesisht nën mbizotërimin e motit të kthjellët.

Ndërkohë, ditët që do të sjellin ndryshim të ‘tablosë’ së motit do të jenë e mërkura dhe e enjtja, ku do të kemi reshje shiu dhe po ashtu dëborë në disa zona malore. Kjo situatë do ja lërë vendin motit të kthjellët, që do të rishfaqet në territorin e vendit gjatë së premtes dhe fundjavës.

Lajda Porja: Do të kemi një javë dinamike. Ka nisur me kushte të qëndrueshme atmosferike me mot të kthjellët, por realitivisht të freskët. Dita e nesërme do të jetë kryesisht me kthjellime paradite, megjithatë në pjesën e dytë të ditës do të shtohen vranësirat në pjesën më të madhe të territorit, ndërkohë dita e mërkurë dhe dita e enjte do të sjellë komplet ndryshim të motit dhe të tablosë termike. Nga mëngjese realitivisht të freskëta me diell, të mërkurën dhe të enjten, një sistem vranësirash do të vendoset në territorin shqiptar duke sjellë reshje.

Më prezente do të jenë ditën e mërkurë ku nuk përjashtohen rrebeshet. Parashikohet që të kemi stuhi detare për shkak se do të kemi një forcim të ndjeshëm të parametrit të erës, i cili do të jetë nga jugu dhe herë pas here do të jetë mbi 75 kilometra në orë. Në det të hapur shkon edhe në 90 apo 100 kilometra në orë. Parashikohet që dita e enjte të ulë intensitetin e reshjeve, megjithatë do të shfaqen në zona malore edhe reshje dëbore, të cilat do jënë kryesisht midis mbrëmjes të së mërkurës dhe mëngjesit të ditës së enjte.

Të mërkurën rriten ndjeshëm temperaturat në vlerat minimale, bëhen mëngjeset më të ngrohta dhe ulen maksimalet për shkak se do të kemi prezencë të shirave dhe vranësirave përgjatë gjithë ditës dhe do të jenë vetëm këto 2 ditë që do të jenë të paqëndrueshme. Dita e premte dhe fundjava përmirëson kushtet e motit dhe na rikthen diellin.

Por cilat do të jenë zonat që do të ndeshen me situatë problematike të motit gjatë të mërkurës dhe të enjten?

Lajda Porja: Përgjatë këtyre 2 ditëve, parametri më problematik do të jetë parametri i erës pasi ne presim stuhi detare që do të thotë se do të kemi probleme përgjatë gjithë Adriatikut dhe brigjeve të Jonit, do të jenë Velipoja, Durrësi, Shëngjini dhe sidomos qarku i i Vlorës që do të ketë një erë shumë të fortë shoqëruar me rrebeshe.

Përsa i përket reshjeve, është dita e mërkurë disi më problematike pasi do të jenë herë pas here shirat në formë shtrëngate, shoqëruar me shkarkesa elektrike, megjithatë nuk pritet një situatë apo fenomen ekstrem. Do të jenë rrebeshe, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë përmbytje lokale në lagje të caktuara përgjatë veri-perëndimit, pra Shkodra, Lezha, pjesërisht Durrësi dhe qarku i Vlorës. Megjithatë do të jenë krejtësisht kalimtare pasi ditën e enjte ulet ndjeshëm intensiteti. Mbeten prezente reshjet, por jo me intensitet të lartë.

/tvklan.al