Portali i mirënjohur gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve europiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024. Në publikimin më të fundit vihet re se vendi ynë lë pas shtete si Turqia, Danimarka, Portugalia, Luksemburgu, Malta dhe mjaft vende te Rajonit.
Sipas WEB.DE, Shqipëria ofron një kombinim unik të qyteteve historike, fshatrave tradicionale dhe peizazheve mbresëlënëse, duke e bërë një destinacion tërheqës në hartën turistike të Mesdheut, ku përveç Tiranës, sugjerohen patjetër Gjirokastra dhe Berati, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Vendi ka fituar popullaritet dukshëm më shumë se çdo tjetër vitet e fundit dhe së fundmi ka mirëpritur 80% më shumë turistë se në vitin 2019. Me këtë rritje, Shqipëria renditet gjithashtu e treta në renditjen globale, pas Katarit dhe El Salvadorit, shkruan portali gjerman.
Riviera shqiptare, sipas WEB.DE të bën përshtypje me plazhet dhe ujin e pastër, e mbi të gjitha Shqipëria konsiderohet një alternativë e vlefshme dhe e përballueshme krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut.
Lajmin e portalit gjerman e ka ndarë edhe Kryeministri Edi Rama i cili thekson se me rritjen e shpejtë të numrit të vizitorëve, ata që dëshirojnë ta shijojnë ende në qetësi duhet ta planifikojnë udhëtimin sa më parë.
Klan News