Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian për Qeverisjen e Mirë organizuan tryezën e diskutimit me organet e sektorit publik dhe sipërmarrjet publike “Kuptimi dhe zbatimi i ligjit për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit në sektorin publik”. Komisioneri Besnik Dervishi në fjalën e mbajtur u ndal te rëndësia jo vetëm e ruajtjes së të dhënave publike, por edhe administrimit dhe publikimit të tyre, në portalin e integruar opendata.gov.al, si një mjet për më shumë transparencë dhe llogaridhënie të autoriteteve dhe sipërmarrjeve publike. “Sasia e të dhënave publike në vendin tonë, është rritur dukshëm. Kur të dhëna të tilla janë të hapura për ripërdorim, i shërbejnë jo vetëm rritjes së transparencës, mirëqeverisjes, përgjegjshmërisë së administratës, kërkimit shkencor, por edhe zhvillimit të ekonomisë mbi zgjidhje inovatore,” theksoi z. Dervishi.

“Operatorët e sektorit publik, edhe për shkak ndoshta të një kulture disavjeçare, janë mësuar të mbajnë të dhënat e tyre brenda institucionit, ndikuar edhe nga rreziku se të dhënat që ata do të ndajnë mund të keqpërdoren ose keqinterpretohen. Ata mund të jenë të shqetësuar se publikimi i të dhënave i bën vulnerabël ndaj kritikave të mundshme. Megjithatë, përfitimet i tejkalojnë këto rreziqe dhe tashmë hapja e të dhëna është e detyrueshme me ligj,” shtoi më tej Komisioneri.

“Të dhënat e hapura përfshijnë një riorganizim dinamik të pushtetit të sektorit publik, duke hequr dorë nga roli i tij si “mbajtës i informacionit” dhe duke u ridimensionuar në një rol të ri, atë të “ofrimit të informacionit”, u shpreh z. Dervishi. Më tej ai u ndal te përfitimet e të dhënave të hapura, duke theksuar se ato kontribuojnë për më shumë transparencë në qeverisje, shërbejnë si katalizator për inovacionin, ndihmojnë në përmirësimin e proceseve vendimmarrëse, rrisin përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, përmirësojnë ofrimin e shërbimeve publike, shtojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive, si edhe kontribuojnë në reduktimin e pabarazisë dhe nxitjen e përfshirjes sociale.

Z. Dervishi vuri në dukje në fund të fjalës së tij se zbatimi i këtij ligji kërkon bashkëpunim nga ana e të gjitha institucioneve publike të përfshira, si edhe ekspertizën e domosdoshme të Bashkimit Evropian, për të sjellë përfitime për të gjithë, jo vetëm për publikun dhe qytetarët, por edhe vetë organet e sektorit publik dhe sipërmarrjet publike. Përfaqësues të projektit të BE-së për Qeverisjen e Mirë vlerësuan pozitivisht miratimin e ligjit të ri për të dhënat e hapura nga Shqipëria, të përafruar në masë të gjerë me direktivat evropiane. Ata vunë në dukje se tani me rëndësi do të jetë implementimi i ligjit, duke rritur aksesin tek të dhënat e disponueshme nga autoritetet publike, si edhe ndërgjegjësimin e përdoruesve. Ata shprehën gjithashtu angazhimin për të vijuar mbështetjen ndaj Zyrës së Komisionerit përmes projekteve të asistencës.

Ligji për të dhënat e hapura parashikon krijimin dhe funksionimin e një portali qendror opendata.gov.al për të bashkuar katalogët e të dhënave të hapura të publikuara nga operatorët e sektorit publik dhe sipërmarrjet publike. Ai është krijuar për ta bërë sa më të thjeshtë të jetë e mundur që të gjithë të kenë akses, të kuptojnë, të kombinojnë dhe të përfitojnë nga të dhënat e hapura, pra për të ndihmuar organizatat dhe individët të maksimizojnë vlerën e tyre. Grupet e prekura nga fushëveprimi i këtij ligji janë organet e sektorit publik, sipërmarrjet publike, biznesi, shoqëria civile, qytetarët, e grupe të ndryshme palësh të interesuara. Kompanitë dhe bizneset e reja në veçanti do të përfitojnë akses më të lehtë në një gamë më të gjerë të të dhënave të sektorit publik, konsumatorët dhe qytetarët përfitojnë po ashtu nga zbatimi i këtij ligji, pasi do të kenë një zgjedhje më të gjerë të produkteve digjitale më të mira dhe të të lira, të zhvilluara në bazë të të dhënave të sektorit publik. Edhe vetë organet e sektorit publik do të kenë përfitime nga zbatimi i ligjit në aksesimin më të lehtë të të dhënave të njëri-tjetrit.

/tvklan.al