Pritet të rrijë jashtë fushave për disa javë
Myrto Uzuni humbi dy ndeshjet miqësore të Kombëtares ndaj Kilit dhe Suedisë për shkak të një dëmtimi. Sulmuesi u kthye në Spanjë ku ka bërë edhe ekzaminimet e nevojshme, teksa klubi i Granadës ka bërë publik raportin mjekësor të lojtarit beratas. Uzuni vuan nga një dëmtim në “tendinën e Akilit”, që e ka shoqëruar prej kohësh. Në të tilla kushte, mbetet mister koha që sulmuesi shqiptar do të kthehet sërish në fushën e lojës.
Myrto Uzuni ishte në listën e Silvinjos për grumbullimin e këtij muaji, por sulmuesi nuk arriti të zbresë në fushë, edhe në seancat stërvitore, pasi shfaqi probleme në këmbën e majtë. Tendina e Akilit ishte tepër e mbingarkuar dhe Uzuni nuk mund të përballonte sfidën. Kështu pas konsultimeve edhe me stafin mjekësor të Kombëtares, ai u kthye për në klubin e tij për të bërë ekzaminime më të hollësishme. Këtë sezon 28-vjeçari ka shënuar 9 gola me Granadën, pavarësisht se ekipi i tij është në pozita shumë të vështira dhe me një këmbë në kategorinë e dytë.
Klan News