Një objekt energjetik në rajonin jugor të Ukrainës, Dnipropetrovsk, është dëmtuar nga zjarri si pasojë e një sulmi rus me dronë mëngjesin e së premtes, thanë ushtria ukrainase dhe një zyrtar rajonal.
Ushtria ukrainase tha se objekti i rëndësishëm energjetik në rajonin Krivorizka u përfshi nga zjarri pasi mbetjet e dronëve të rrëzuar rusë ranë mbi të, duke shtuar se zjarrfikësit ia dolën ta shuajnë zjarrin.
Shkalla e dëmit nuk mund të vlerësohej menjëherë, tha kreu rajonal Serhiy Lysak.
Të enjten, termocentrali Trypilska, një furnizues i madh i energjisë elektrike për rajonet e Kievit, Çerkasit dhe Zhitomirit, u shkatërrua nga raketat ruse.
Ndërkohë, kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 16 nga 17 dronët e lëshuar nga Rusia në gjashtë rajone të Ukrainës mëngjesin e së premtes, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës në një mesazh në rrjetet sociale.
“Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës rrëzuan 16 UAV të tipit Shahed brenda rajoneve Mikolaiv, Odesa, Herson, Dnipropetrovsk, Vinitsia dhe Hmelnitski”, thuhet në mesazhin e tyre në Facebook.
Rusia ka kryer sulme të mëdha ajrore dhe me dronë në infrastrukturën civile dhe energjetike të Ukrainës kohëve të fundit, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha./REL